TIRANE- Policia e Tiranës ka ndaluar mbrëmjen e sotme dy mjekë të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajku, dhe foshnjës që priste të sillte në jetë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, blutë e komisariatit nr.1 ndaluan mjekët Dritan Decka dhe Helidon Klosi ,mjekë primarë në maternitetin “Koço Gliozheni”, të cilët dyshohet se vonuan shërbimin për 35-vjeçaren.


Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë pasi nga hetimet u konstatua neglizhencë dhe mjekim i pakujdesshëm i gruas shtatzënë.


Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk kanë mundur të përcaktojnë diagnozën që në fillim, madje nuk e kanë kuptuar situatën e 35-vjeçares, duke e orientuar drejt shërbimit të urgjencës për probleme kardiake. Ajo ka qëndruar në maternitet vetëm 45 minuta. Por vetëm pas një konsulte të gjerë ekipi i mjekëve në maternitet ka përcaktuar diagnozën hemorragji masive në pjesën e shpretkës, një patologji e rëndë kjo, sipas tyre, dhe e rrallë ku 75% e rasteve humbin jetën. Mjekët e maternitetit e kanë diagnostikuar me shumë vonesë këtë gjë, pas sorollatjeve të gruas shtatzënë për mbi 5 orë dhe pasi ajo kishte humbur jetën.


Aida Çajka, nga Paskuqani, ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë. Ajo ishte shtatzënë në muajin e nëntë dhe priste të sillte në jetë një vajzë.

(el.sp/BalkanWeb)