Katër ish-ministra të Jashtëm të shteteve ballkanike i kanë dërguar letër BE-së në lidhje me hapjen e mundshme të negociatave.


Bushati, Mitov, Kasoulidis dhe Kotzias përmes një letre kërkojnë hapje të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


Kujtojmë se Këshilli i Europës e shtyu vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë për në muajin tetor. Ish-ministrat i bëjnë thirrje vendeve të BE të mbeshtesin rekomandimin.


Letra e plotë:

Komisioni Evropian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29 maj të këtij viti. Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli. Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE.

Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende. Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces.

Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonië së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende. Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian.

Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ish-ministrat e Punëve të Jashtme të: Shqipëri Bullgari Qipro Greqi Ditmir Bushati Daniel Mitov Jannakis Kasoulidis Nikolaos Kotzias

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb