TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla deklaron se mos vendimmarrja e BE për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk lidhet me atë çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë këto dy vende. I ftuar në “Real Story” në News24 përballë analistëve e gazetarëve, Balla tha se nuk ka një argument të qëndrueshëm për veton e përdorur nga Franca, duke theksuar se mos vendimmarrja lidhet më shumë kontekste të brendshme.


“Teksa vija për këtu, më kishte shpëtuar dje por e lexoja tani një ‘Tëitter’ të Wolfgang Ischinger, presidentit të konferencës së Munihut, i cili perifrazonte dy vendime të gabuara të marra pothuajse në të njëjtën kohë, Europës bashkë, përfshinte këtu dhe vendimin e SHBA-ve lidhur me tërheqjen e trupave nga Siria por rendiste po aq të rëndë dhe vendimin për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kurrë më parë në një rast të ngjashëm, edhe në historinë e re apo të vjetër të BE nuk kemi një numër kaq të madh qeverish, presidentë, kryeministra apo dhe përfaqësues të parlamenteve, kujtoj këtu deklaratën e djeshme të dy personaliteteve të nderuara të CDU/CSU që jo vetëm e rendisin si të gabuar por dhe një formë rebelimi teksa politikanë të shumtë të Europës janë rebeluar kundrejt kësaj vetoje të përdorur nga Franca, për të cilën nuk kam një argument të qëndrueshëm”, deklaroi Balla.



Balla nuk e sheh qëndrimin e Francës të lidhur me azilkërkuesit shqiptarë. Ai tha se shqiptarët në gjithë këto vite destinacion primar kanë Gjermaninë për shumë arsye. “Gjermania si vend praktik ka ndryshuar legjislacionin e azilit dhe legjislacionin që ka të bëjë me rezidencën e përkohshme për punësim të përkohshëm. Në rastin në fjalë Këshilli Europian nuk mori asnjë vendim dhe nga Këshilli Europian nuk kemi asnjë arsye që lidhet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi një element që është vënë në dukje prej vitesh, që nga viti 1960 ende nuk ka ndryshuar sistemi i vendimmarrjes për çështje të këtij karakteri në strukturën vendimmarrëse të BE-së. Mosvendimmarrja nuk lidhet aspak me atë çfarë ka bërë apo çfarë nuk ka bërë Shqipëria.
Mos vendimmarrja lidhet me shumë kontekste të brendshme”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb