Avokati Spartak Ngjela tha në “Real Story” se me vendimin e KE për të mos hapur negociatat opinioni publik shqiptar kuptoi se vendi ynë është një zonë shumë e preferuar dhe se dy fuqi të mëdha po konfliktohen për territorin shqiptar. Por, nuk mendon kështu analisti Agron Gjekmarkaj, i cili tha se nuk mund të shihet si sukses vendimi negativ për negociatat.

Ngjela: Nuk është krejt ashtu si mendohet. Ka konflikte të brendshme, se është dhe Gjermania në mes. 50 miliardë euro në vit është deficiti francez në Gjermani. Shqipëria këto i ka në favor, sepse ne kuptuam se jemi një zonë shumë e preferuar, gjë që nuk e dinte opinioni publik shqiptar. Dy fuqi të mëdha po konfliktohen për territorin shqiptar dhe në këtë moment Rama ia dha bazën e Pashalimani. Ata janë prezentë këtu dhe kjo ngre tensionet. Traditat e vjetra të politikës nuk bien. Nëse do të ishin hapur negociatat, do kishe një kërkesë të tillë ruse?

Ajo që i dha impuls shumë të madh shqiptarëve ishte se SHBA foli pas tre orësh, pra që prisnin hapjen e negociatave. Amerika dhe Gjermania duan hapjen e negociatat, ata veglat e tjera kthehen sipas tyre. Franca doli kundër, Greqia nuk e mbajti fjalën. Danimarka s’ka hall, as Holanda.

Pra, çështja që ndodh, është se e gjitha kjo që ndodhi është në favorin tonë, sepse shqiptarët kuptuan se jemi vend i rëndësishëm, që menjëherë pas kësaj doli ambasadorja që vjen, dje, dhe foli për investime amerikane në Shqipëri, që nuk kishte ndodhur asnjëherë. Kriza jonë aktuale është krizë intelekti. Politika nuk bëhet siç thonë këto. Politika amerikane i di dhe është mirë të na i thotë, sepse ne jemi në prag të reformave.

Gjekmarkaj: Në favorin tonë duhet të ishte suksesi, pra hapja e negociatave. Të shitet dështimi si sukses për mua është … Nëse kthehemi te Baza e Pashalimanit nuk ka qeveri që nuk e ka lutur Amerika. Nuk u bë heroizëm këtu, se nëse ata kërkojnë edhe shtëpinë e tij në Surrel, ai ua jep. Ky është një dështim, që nuk mund të lidhet kurrë me sukses. Sa i përket ambasadores amerikane, mesazhi i saj ishte shumë i madh, së pari se legalizoi krizën politike, që politika shqiptare nuk e njeh.

Kjo tregon se do të ketë zhvillime, presion mbi palët, për të zgjidhur krizën, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Ajo përmendi një gjë që në Shqipëri nuk pranohet, raporti me krimin dhe narkotrafikun. Ky është një nga faktorët që na mban jashtë BE. Dhe tjetra ishte Reforma në Drejtësi, që SHBA e sheh si pjellë të vetëm, nuk do ta lënë jetime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb