TIRANË

Kryeministri i vendit, Edi Rama, tregoi detaje për telefonatën e sotme  të kryer me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Ai tha se Angela Merkel është e angazhuar plotësisht për të vijuar “betejën” për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa kjo shtoi Rama, do të bëhet realitet duke bindur vendet skeptike.

“Më mori sot kancelarja në telefon. Praktikisht më kanë marrë dhe kam telefonata me të gjithë. Kur kancelarja e Gjermanisë merr në telefon dhe flet për si ndodhi me negociatat, pse ndodhi dhe çfarë duhet të bëjmë bashkërisht, që kjo që ndodhi ta ndryshojmë dhe të bëjmë gjënë e duhur, por cila është kjo? Kjo është hapja e negociatave. Merr në telefon sepse është e përfshirë në këtë proces jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet e Ballkanit. Si shpjegohet kjo që Gjermania e angazhuar bisedon me ne për të rakorduar lëvizjet e radhës me vendet që janë problematike me vendimmarrjen e negociatave”-theksoi ai në emisioni “Opinion”.

Por a i ka plotësuar kushtet Shqipëria për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian? Kryeministri Edi Rama tha se vendi ynë e ka merituar çeljen negociatave që në vitin 2017. Sipas Ramës, asnjë prej vendeve që janë sot pjesë e BE-së nuk ka pasur aq kushte sa ka pasur vendi ynë.

 Neve duhet të na ishin hapur negociatat që në vitin 2017, por nuk mendoj dhe mund t’ua faktoj se asnjë vend që nga i pari e deri tek i fundit, nuk kanë bërë aq detyra përpara hapjes së negociatave sa ka bërë Shqipëria. Merkel ka qenë për të hapur negociatat”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb