TIRANË

Ish-ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u tregua i ashpër dhe kritik ndaj maxhorancës dhe opozitës në lidhje me qëndrimet që kanë mbajtur për procesin e hapjes së negociatave me BE.

Ai tha se kushtet e Gjermanisë të listuar ndaj Shqipërisë nuk duhet të përdoren për të bërë politikë, por duhen parë si detyra shtëpie, të cilat i duhen shoqërisë sonë për të ngritur themelet e zhvillimit të përbashkët, ku të gjithëve t’u jepet mundësia e të barabartëve përballë ligjit dhe kudo tjetër.

Ish-ministri i Jashtëm theksoi se në tre dekada Shqipëria ka notuar kundër rrymës, ndërsa shtoi se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një konsensus kombëtar.

“E të gjithë së bashku, sot jo vetëm po kërkojmë çeljen e bisedimeve me BE, por edhe po shprehim mbështetjen për këtë proces. I gjithë debati politik dhe publik, është disi artificial. E para, qëndrimi i Gjermanisë nuk duhet ta në vijë surprizë. Gjermania është vendi që ka investuar më shumë  në Ballkan.  Në këtë kontekst, pavarësisht se flasim për kushte, besoj se si shqiptarë të mirë që jemi, duhet të flasim për të rritur standardet në jetën e përditshme. Lufta politike në vend është absurde. Leksioni numër një që kam nxjerrë për këtë proces dhe që të përparojmë, është se na duhet një konsensus kombëtar. Ne kemi notuar kundër rrymës. Të notosh kundër rrymës ti nuk ke suksesin  që kërkon. Prandaj kam propozuar një pakt për Evropën. Nuk diskutohet se barrën kryesore për këtë e ka qeveria, por jo vetëm. Reforma zgjedhore ka një vit e gjysmë që është në tryezën zgjedhore.  Ne duhet të kemi guxim për të projektuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Duke qenë të vetëdijshëm, që secili prej nesh, mund të humb karrierën politike në këtë vend. Duhet punuar për reformat që i duhen këtij vendit. Çështje kryesore në këtë themel është : ku jemi ne? Ikën 30 vite. Jemi vendi që nuk na janë ndarë për 30 vjet, çështjet e reformës zgjedhore dhe asaj të reformës në drejtësi. Një 30 vjeç sot pyet: pse është ndryshe nga një moshatar i Bullgarisë. Sot duhet ta adresojmë barazinë mes qytetarëve, duke shtruar themelet e përbashkët të kësaj shtëpie”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: