Publikimi i një metodologjie të re të Komisionit Evropian, e cila ka për qëllim të ndryshojë mënyrën e negociatave të anëtarësimit për vendet aspirante është shtyrë për t’u publikuar në muajin shkurt. Komisioni është në proces të përfundimit të propozimit dhe ai do të paraqitet në javët e ardhshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero.
Botimi u njoftua jo zyrtarisht për më 29 janar, por sidoqoftë, projekt-propozimi nuk është përfunduar ende, dhe data tjetër e mundshme është 5 shkurt.
“Me metodologjinë e re, ne duam ta bëjmë procesin e zgjerimit më të besueshëm, që do të thotë se nëse njëra palë përmbush detyrimet e saj dhe pala tjetër duhet të bëjë pjesën e vet. Ne duam të kemi një proces që do të jetë i dobishëm për të gjitha palët – si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për institucionet e BE “, tha Ana Pisonero.
Komisioni Evropian këmbëngul që të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut paralelisht me rregullat e reja. “Ju e dini që për ne është shumë e rëndësishme që paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, ne i qëndrojmë rekomandimit tonë se negociatat e anëtarësimit duhen çelur edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut. E kemi thënë shumë qartë që këto dy vende iu janë përgjigjur kërkesave që iu ishin drejtuar dhe koha është pjekur tashmë që edhe pala e BE-së të mbajë premtimin e dhënë,” theksoi zëdhënësja e KE.
Në mes të muajit shkurt Komisioni do të ndajë me vendet anëtare edhe një vlerësim mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të fundit, me synimin për të arritur drejt një vendimi të Këshillit për dy vendet gjatë samitit evropian të marsit në Bruksel.
(Balkanweb)