TIRANE- Kryeministri Edi Rama teksa u ndal tek negociatat me Greqinë për çështjen detare dhe dhënien e autorizimit nga kreu i shtetit, Ilir Meta, nuk kurseu të falënderonte publikisht këtë të fundit.

Përballë moderatores Eni Vasili në emisionin ‘Studio e hapur’ në “News24” Rama theksoi se vlerëson pozicionin që ka mbajtur deri më tani Meta lidhur me këtë çështje.

“Unë e kam thënë dhe mund ta përsëris pa asnjë hezitim që presidenti i Republikës ka bërë nga fillimi deri në fund gjënë e duhur. Ka kërkuar sqarimet e nevojshëm, ka qenë i arsyeshëm me procesin dhe e ka ndihmuar konsolidimin e një procesi që duke pasur edhe filtrin e presidentit të Republikës në dhënien e autorizimit bëhet solid dhe na jep një pozicion solid në negociata. Pavarësisht se është zgjatur pak e vërteta është se unë e falënderoj Ilir Metën për rolin që ka luajtur deri tani në këtë proces. I kemi ezauruar të gjitha hapat për negociata. Pres që presidenti të japë autorizimin. Nuk do të jetë i lehtë, dhe do arrihet atëherë kur do arrihet. Është negociatë. Procesi ku hymë si rezultat i këmbënguljes së presidentit për të ndërtuar kuadrin na ka ndihmuar.”, tha Rama.

Çfarë po ndodh në këto bisedime zoti Rama?
A mund të më tregoni se çfarë është një negociatë transparente. Për fat të keq ju i merrni një fjalë dhe ia shtrembëroni këtu. Se po t’iu thoshte ai do ishit në rregull. Negociatat nuk kanë nisur nga pikëpamja teknike. Negociatat kanë qenë politike dhe për to kemi folur qartësisht. Ndërsa për metra e kilometra, vija ndarje janë aspekte teknike.
Meçollari ka qenë në takime, pjesë e negociatave?
E morët një njeri e futët në ingranazhin e kazanit. E bëtë copë. E mori dhe e kafshoi dhe e bëri copë me dhëmbët e veta të baltës, shpifjes, mungesës totale të papërgjegjshmërisë PD dhe ju e latë një nga njerëzit më të mirë pa mbrojtje. Ai është patriot nuk është spiun.
Po mirë kjo do vërtetohet?
Kush do e vërtetojë, gogoli?
Çështja çame, kemi ne vija të kuqe ndaj tyre?
Çështja çame mos prisni ndonjëherë që grekët të thonë ekziston. Sepse për ta është pretendim territorial. E kam sqaruar edhe për opinionin grek. Iu kam thënë mos prisni të mos flasim për çështjen çame sepse janë shqiptarë. Ajo që duam ne të bëjmë është që jo të mbytemi në një lugë ujë por të adresojmë problemet e kësaj bashkësie dhe pasardhësve të asaj bashkësie t’u japim të drejtat që i janë mohuar.
Vija e kuqe ku është, do çedoni tek emri?
Ne kemi qartësisht të drejtat që duhen vendosur në vend.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb