Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian nuk kanë caktuar një datë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Ministri i Jashtëm sllovak Lajcak tha në fund të takimit, se për një vendim të tillë, do të ndiqen me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, dhe do të priten provat që faktojnë se në vend ka patur progres.

Lajcak u ndal veçanërisht te reforma në drejtësi, duke theksuar se me rëndësi është fakti se Shqipëria ka punuar në prioritetin kryesor që është miratimi i legjislacionit kritik për drejtësinë dhe shtetin ligjor.

“Do të shohim nëse Shqipëria i përmbush kushtet. Ajo që është me rëndësi është fakti se Shqiperia ka punuar në prioritetin kryesor që është miratimi i legjislacionit kritik për drejtësinë dhe shtetin ligjor. Nuk kemi ende një datë por do të shohim progresin”, tha ministri sllovak në konferencën për shtyp.

Lajçak gjithashtu shtoi se shumë gjëra janë në lojë, sidomos kur bëhet fjalë për reformën në drejtësi. Ai bëri thirrje që Shqipëria duhet të adaptojë reformat dhe të nisë sa më shpejt zbatimin e reformës në drejtësi.

“Ajo që duhet të behet tani është zbatimi. Nuk është e nevojshme që të presim një raport të ardhshëm që do të dalë në pranverë 2018, por ka një angazhim të qartë të Komisionit që të raportojmë për Shqipërinë sapo vendi të ketë rezultat të prekshëm” tha ministri sllovak.

I pyetur nëse zgjedhjet janë marrë në konsideratë për negociatat, Lajcak u shpreh se prioriteti kryesor është zbatimi i plotë i legjislacionit, dhe e dyta respektimi i vlerave europiane duke përfshirë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Zoti Lajcak në fillim të presidencës suaj ishit shumë optimist se negociatat me Shqipërinë do të nisnin gjatë kësaj presidence të BE, pra atë sllovake. Në fund të kësaj presidence nuk ka as konkluzione për zgjerimin. Kur prisni që Shqipëria të zhvillojë mbledhjen e parë ndërqeveritare që Komisioni të nisë procesin?
Nuk mendoj se ka arsye që Shqipëria dhe qytetarët e saj të jenë të zhgënjyer sepse në fillim të presidencës tonë ne e pamë hapjen e negociatave më shumë si një dëshirë sesa një qëllim realist, sepse kishte shumë të panjohura përpara. Ajo që është me rendësi është fakti se Shqipëria ka punuar në prioritetin kryesor që është miratimi e legjislacionit kritik për drejtësinë dhe shtetin ligjor. Ajo që duhet të bëhet tani është zbatimi. Nuk është i nevojshëm që të presim një raport të ardhshëm që do të dalë në pranverë 2018, por ka një angazhim të qartë të komisionit që të raportojmë për Shqipërinë sapo vendi të ketë rezultat të prekshëm. Mendoj se ky është një rezultat i qartë mendoj se Shqipëria mund të jetë e kënaqur me këtë.

Një pyetje tjetër për Shqipërinë. Ka një referencë të qartë për reformën elektorale dhe për zgjedhje te ndershme dhe te lira. A ekziston mundësia që këshilli të marrë në konsideratë hapjen e negociatave pas zgjedhjeve?
Interpretimi i konkluzionit të BE është se BE dhe komisioni do të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri. Prioriteti kryesor është zbatimi i plotë i legjislacionit dhe e dyta është respektimi i vlerave europiane duke përfshirë edhe zgjedhjet e ndershme. Për mua personalisht i rëndësishëm në këtë konkluzion është fleksibiliteti. Pra ne nuk jemi pengje të kalendarit por do flasim për progresin e Shqipërisë në çdo moment nëse shikojmë se ka fakte dhe prova për këtë progres.

(e.f/ BalkanWeb)  

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb