TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh ndërsa është nisur për në Bruksel ku pritet të merret dhe përgjigjja për negociatat e Shqipërisë me BE.
Nga makina e tij, Rama tha se nuk është as pesimist dhe as optimist por se po bëhet maksimumi për të marrë “Po”-në. Ai foli dhe për diskutimet që do të kenë sot kancelarja gjermaneAngela Merkel me Presidentin francez Manuel Macron.


Kreu i qeverisë informoi se do të jetë në Bruksel për të takuar kryeministrat e qeverive socialiste progresiste të BE-së në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane, në funksion të nevojës  për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme.


“Sot kancelaria gjermane dhe Presidenti i Francës do të takohen në Tuluse, në kuadër të samitit franko-gjerman të dy qeverive. Një nga temat do të jetë edhe vendimmarrja e Këshillit Europian pasnesër ku do të mbahet edhe qëndrimi përfundimtar i Bashkimit Evropian lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja Merkel dhe Gjermania po përpiqen intensivisht për një ‘Po’ për të dyja vendet, ndërkohë që qëndrimi i Presidentit Macron dhe Francës nuk përkon për momentin të paktën me të Gjermanisë dhe të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare. Nuk jam as optimist as pesimist për rezultatin e këtij procesi por me realizëm gjykoj se po bëhet maksimumi për të marrë ‘Po’-në e merituar dhe më e mbështetur se sot Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këtë proces. Pak por e sigurt është se edhe Franca e njeh dhe e vlerëson progresin e bërë ashtu sikurse kërkon sot shumë më tepër nga vetë BE-ja se sa nga Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Tani po nisem për Bruksel së bashku me kryeministrin Zaev për të takuar kryeministrat e qeverive socialiste progresiste të BE-së në një format të krijuar enkas nga Partia Socialiste Europiane, në funksion të nevojës që kemi sot për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së pasnesërme. Do të komunikojmë shpejt përsëri”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb