SHBA

Ish-kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht ministër për Diasporën Pandeli Majko në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ ka komentuar  edhe negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës.


Ministri për Diasporën u shpreh se pret një marrëveshje të zbatueshme.


Majko tha se shkëmbimi i territorve dhe korigjimi i kufijve është një lloj autoriteti që i takon elitës politike në Prishtinë.


“Unë pres marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qënë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës”, tha ai.

Zëri i Amerikës: Kalojmë pak tek Kosova. Ditët e fundit ka patur nxitje, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të arrihet një marrëveshje brenda këtij viti. Gjithashtu ka patur shumë debate duke filluar që nga ideja e korrigjimit të kufirit, vendosja e tarifave që po kundërshtohet me forcë nga Shtetet e Bashkuara, tarifat ndaj Serbisë. Si e shihni situatën dhe a jeni optimist për një zgjidhje këtë vit?

Pandeli Majko: Lexova me kujdes një editorial të dy ambasadorëve të respektuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd të cilët nënvizonin faktin e nevojës për një marrëveshje midis palëve dhe për heqjen dorë nga obstruksionizmi, që mu duk momenti i parë i rendësishëm, dhe i dyti për të realizuar një marrëveshje të pranuar dhe të zbatueshme.

Tek obstruksionizmi kam parasysh në radhë të parë mënyrën se si shteti serb sillet karshi shtetit të Kosovës, duke u përpjekur në mënyrën më maksimale ta bllokojë atë në çdo rol ndërkombëtar apo akt ndërkombëtar që shteti i Kosovës ndërmerr. Obstruksionizmi ka të bëjë edhe me mënyrën se si ka reaguar Kosova, por ne duhet të ndajmë kush është aksioni dhe kush është reaksioni. Pra duhet të ndajmë që tarifa e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, obstruksionizëm është, një gjë që në kushtet teorike është krejtësisht e pavend. Por ne nuk duhet ta shikojmë si një aksion, por duhet ta shikojmë si një reaksion.

Unë pres marrëveshje, siç edhe dy ambasadorët e respektuar kishin nënvizuar, të zbatueshme. Për idenë e shkëmbimit të territoreve, idenë e korigjimit të kufijve, ide të çuditshme që kanë qarkulluar mbi dhe nën tavolinë, sinqerisht kam qënë i rezervuar. I rezervuar për një fakt shumë të thjeshtë: ky është një lloj autoriteti apo autorizimi që i takon elitës politike të Prishtinës.

(BalkanWeb)