Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në nisje të punimeve të seancës plenare të kësaj të enjte, përshëndeti çeljen e grupkapitullit të parë të negociatave Shqipëri-BE, ku dy ditë më parë në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare. Kryeparlamentarja tha se ky është një moment historik dhe kurorëzoi progresin e reformave.

Sipas saj, Shqipëria nuk ka asnjë tjetër përveç anëtarësimit në BE. Spiropali iu drejtua edhe opozitës duke e ftuar që të bashkëpunojë me mazhorancën për përshpejtimin e realizimit të procesit të anëtarësimit në BE.

“Siç tashmë e dimë, në datën 15 tetor, në Luksemburg, u mbajt Konfereca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, për çeljen e negociatave për Grup-Kapitujt “Themelorët”. Ky është moment historik, hap i madh përpara drejt realizimit të ëndrrës rilindase naimiane se për ne, shqiptarët, dielli lind nga perëndon. Është një gur themeli në rrugëtimin tonë drejt ribashkimit me Europën, të cilës i përkasim genetikisht, gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me rrënjë, me frymë, me perspektivë e vizion.

15 tetori kurorëzoi përpjekjet e mëdha të deritanishme të Shqipërisë drejt Europës, arritjet tona të dukshme dhe të padiskutueshme në progresin e reformave demokratizuese dhe integruese, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër krimit, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

Ne kemi dëshmuar me vepra, me reforma, se kemi vetëm një plan A drejt të ardhmes sonë, drejt Bashkimit Europian.

Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm kështu përmbushim aspiratën e të gjithë shqiptarëve, të cilët si asnjë popull tjetër në Ballkanin Perëndimor, na mbështesin, nxisin e frymëzojnë në udhën drejt familjes europiane.

Grup-kapitujt “Themeloret”, për të cilat u çelën negociatat, përfshijnë çështjet e mëposhtëme:

Funksionimi i institucioneve demokratike

Reforma në administratën publike.

Gjyqësori dhe të drejtat themelore.

Drejtësia, liria dhe siguria.

Kriteret ekonomike.

Prokurimi publik.

Statistikat.

Kontrolli financiar.

Nga sot punët tona shtohen, përgjegjësitë tona rriten, detyrat tona shumëfishohen.

Jam e bindur se shpreh edhe mendimin tuaj se të gjithë ne, do të vijojmë të jemi të angazhuar për përmbushjen e misionit të Kuvendit si udhëheqës i procesit të integrimit europian, si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit.

Duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Komisionit për Çështjet Europiane, të komisioneve të përhershme, të komisioneve të posaçme dhe të të gjithëve ju, kolege e kolegë të nderuar, dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen time të pakursyer dhe angazhimin maksimal, drejt përmbushjes së këtij prioririteti strategjik kombëtar, i cili është njëkohësisht prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë.

Pavarësisht partive apo ideologjive, Europa është ëndrra dhe destinacioni ynë i përbashkët.

Prandaj, në këto ditë të shënuara për të gjithë ne, gjej rastin t’u bëj thirrje kolegëve opozitarë, që duke i respektuar bindjet e tyre politike, orientimin dhe vlerat perëndimore, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, si dhe në emër të Shqipërisë europiane, të bëhemi të gjithë bashkë për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, Bashkimit Europian, këtij realiteti ndër më të bukurit dhe më të dobishmit e njerëzimit dhe qytetërimit bashkëkohor“, u shpreh Spiropali.

LIVE – Deputetët e PD protestë jashtë Parlamentit, nis seanca plenare

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb