MAQEDONI E VERIUT

Nëse vendi nuk merr datë për fillim të negociatave, ekziston rreziku që të bjerë qeveria. Kështu ka deklaruar kryeministri  i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Në takim me gazetarët në Bruksel, Zaev ka thënë se shtyrja e vendimit në parlamentin gjerman  për hapjen e negociatave rrezikon përforcimin e fuqive nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend.

“Nëse vendosin të mos na japin datë, do të ketë mundësi të bie Qeveria. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, ka gjasa menjëherë ta humbë shumicën në Kuvend. Kjo për shkak se deputetëve u premtuam se sigurisht do të marrin vendim pozitiv nga BE-ja nëse ecim përpara. Ajo do të thotë se qytetarët do të inkurajohen të mbështesin nacionalizimin, radikalizmin dhe ajo nuk është në të mirë as të vendit tonë e as rajonit. Ato janë opsionet dhe ne frikësohemi nga ai variant”-tha Zoran Zaev.

Eurokomesari për zgjerim Johanes Han në një mëngjes pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ka tentuar të nxisë vendim pozitiv për dhënien e pëlqimit që Maqedonia e Veriut të fillojë negociata për anëtarësim. Deri në këto momente nuk ka detaje nga takimi. Kur na ndajnë rreth dy javë nga takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, akoma nuk dihet qëndrimi i tyre përfundimtar për Maqedoninë e Veriut. Takimi i një dite më parë i kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel duket se nuk ka ndryshuar asgjë. “Më shumë vende anëtare të BE-së refuzojnë fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan gazeta austriane “Die Presse” e cila më tej vazhdon se “të parat, Franca dhe Holanda fuqishëm kundërshtojnë fillimin e negociatave më të dyja vendet”

Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker pas takimit Zaevin pranoi se disa vende akoma janë kundërshtare të hapjes së negociatave tani.

Unë e di se disa shtete anëtare kanë shqetësime. Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për t’i bindur ato”-theksoi Zhan Klod Junker, president i Komisionit Evropian, shkruan Alsat.

Junker megjithatë kishte theksuar se në bazë të fakteve objektive, Maqedonia e Veriut është e gatshme për hapin e radhës. Me eurokomisionerin, Johannes Hahn ishin takuar edhe përfaqësues të VMRO-DPMNE-së të cilët kishin shprehur shqetësimet për funksionimin e institucioneve në vend dhe ngecjen e reformave, por nga ana tjetër, kishin kërkuar fillim të negociatave për anëtarësim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: