TIRANE- Muaji gusht nuk sjell vetëm pushime, kohë të mirë dhe plazh, por edhe ethet e maturantëve që duhet të marrin një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së tyre. Me përfundimin e shkollës së mesme ata vendosin se çfarë do studiojnë dhe ku do të studiojnë.

Këtë qershor rreth 37 mijë nxënës përfunduan Maturën, dhe nga data 30 korrik e deri në datën 4 gusht, të gjithë ata maturantë që kanë mesatare mbi 6, do të plotësojnë Formularin A2, ku do të rendisin 10 preferencat e tyre për të vazhduar studimet e larta.

Po ku është më mirë të investosh në dije për të ardhmen tënde, në një universitet shtetëror apo në një universitet privat? Kush institucion jep më shumë garanci dhe më shumë cilësi?

Kjo temë është diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”.

Pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin “Luarasi”, Mateo Spaho, thotë se gjatë muajve të fundit është bërë një punë e veçantë për orientimin e maturantëve lidhur me mundësitë që ofron tregu për arsimim cilësor.

Ai theksoi se diferencën mes universiteteve publike dhe atyre private e bën cilësia e mësimdhënies.

“Unë bësoj se pikërisht sepse kostot janë më të larta dhe shërbimi është me cilësor. Jam për privat, jo publik. Mundësia për të marrë më shumë cilësi është më e lartë në privat”, u shpreh ai.

Më tej, Spaho tha se orientimi i drejtë i maturantëve për të ndjekur studimet në degë që përmbushin nevojat e tregut të punës, dhe arsimimi cilësor, bën që pjesa më e madhe e të diplomuarve në Universitetin “Luarasi”.

“Mbi 80 % e të diplomuarve në nivel master në “Luarasi”, janë të punësuar në profesionin e tyre, apo fusha të ngjashme”, tha Spaho.

Lidhur me këtë çështje, rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, thotë se fakultetet pulbike deri më tani janë më të preferuara nga maturantët, kjo edhe për faktin se kostoja e studimit është më e ulët.

“Besoj që shifrat e tregut për shkak të kapacitetit që kanë universitet publike marrin më shumë studentë. Sepse kanë historik, janë më të mëdha, dhe paguajnë më pak para. Në Shqipëri paguajnë më pak në publik. Tek Mjekësia 450 mijë lekë të vjetra në vit, ndërsa privati ka kosto më të larta. Shqipëria prodhon shumë juristë dhe ekonomistë”, u shpreh Gjata.

Ndërkohë Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici shpjegoi se cilat janë degët më të preferuara për studentët dhe pse, ndërsa shtoi se “nuk ka degë të mirë apo të keqe, por ka fakultet të mirë apo të keq”.

“Kërkesa dhe panorama varet nga mentaliteti dhe elementet psikologjike. Ndër degët e kërkuara janë juridiku dhe mjekësia. Psh. IT ose edukimi janë shumë të rëndësishme dhe për investime dhe për nga mënyra si avancon teknologjia sot. Punësimi është më mirë i paguar. Ndaj një maturant duhet të niset që të bëjë një zgjedhje apo një tjetër ose se e ka talent ose me një kuptim të drejtë. Nuk ka rëndësi dega që studion për të zbuluar se cila do të jetë e ardhmja dhe karriera. Në fakt nuk ka degë të mirë apo të keqe ka fakultet cilësor ose jo”, u shpreh Civici.

Ndërsa, rektorja e Universiteti të Durrësit, Kseanela Sotirofski, është ndalur rek procesi i realizimit të Maturës Shtetërore, duke u shprehur se këtë vit ka qenë më e thjeshtë për maturantët, për t’u fokusuar në profilin që duan.

Të bësh zgjedhjen e duhur sot për fushën e studimeve që do ndjekësh është gjithmonë e më e vështirë. Ndërkohë, nuk janë të pakta ato që mendojnë se investimi më i mirë për fëmijën, është shkollimi jashtë vendit. Edhe këtë vit, me qindra aplikime janë bërë nga maturantët për të vazhduar studimet në Gjermani, Itali, Francë, Angli apo SHBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb