Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a reagon pas lajmit të “News24” se po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave.
Në reagim thuhet se “Shoqëria së fundmi është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrolli i së cilës nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe shkelje”.
Reagimi i plotë:
Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a., me aksioner të vetëm BF Cooperatief U.A., person juridik i së drejtës holandeze, sqaron se gjatë gjithë aktivitetit të saj që nga viti 2001, ajo ka qenë dhe vijon të jetë e monitoruar dhe e audituar nga audituesit ligjorë, përfshirë kompanitë më prestigjoze audituese ndërkombëtare, si brenda vendit, ashtu edhe në Holandë.
Shoqëria së fundmi është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrolli i së cilës nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe shkelje.
Pavarësisht këtyre auditimeve dhe kontrolleve, të gjitha institucionet arsimore të Shoqërisë, duke filluar nga kopshti deri tek Universiteti “EPOKA”, janë vënë nën një presion të çuditshëm dhe të pakuptimtë nga persona me axhenda të paqarta dhe me porosi po të paqarta, të cilat përmes strukturave të caktuara të policisë së shtetit kanë ushtruar dhunë verbale, veprime arbitrare dhe represionit ndërkohë që procesi i edukimit vijon në kushtet e COVID-19.
Gjithashtu, sjellim në vëmendjen e opinionit publik që Shoqëria “Turgut Ozal Education” sh.a është duke ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore pranë autoriteteve përkatëse si:
1. Prokuroria e Përgjithshme
2. SHCBA pranë Ministrisë së Brendshme.
Njëkohësisht, Shoqëria ka informuar dhe do të vazhdojë të informojë të gjitha institucionet kompetente dhe përfaqësitë diplomatike në vend si më poshtë:
Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë
Ministri i Brendshëm
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim
Avokatja e Popullit të Republikës së Shqipërisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e SHBA-së në Shqipëri
Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri
Institucionet arsimore Turgut Ozal kanë besimin e plotë që autoritetet dhe instancat përkatëse do të marrin masat për sigurimin e respektimit të parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave e lirive të njeriut në vendin tonë. Nëse do të jetë e nevojshme, aksioneri holandez do të hedhë të gjitha hapat e duhura institucionale dhe ligjore pranë autoriteteve holandeze.
(BalkanWeb)