Qeveria spanjolle vendosi sot të anulojë një kontratë armësh me një kompani izraelite, duke iu dorëzuar kështu presionit të partisë së majtë radikale, një aleate e socialistëve brenda koalicionit qeverisës.
Vendimi për të anuluar në mënyrë të njëanshme këtë kontratë 6.8 milionë euro me kompaninë izraelite IMI Systems Ltd, e cila kishte të bënte me furnizimin me municion për Gardën Civile spanjolle, u mirëprit nga ministrja e Punës dhe numri tre në qeveri, Yolanda Díaz, një figurë e shquar në Sumar, partia e majtë radikale që është partnere e kryeministrit Pedro Sánchez.
Spanja ” nuk mund të blejë armë nga një qeveri që masakron popullin palestinez ,” u tha Diaz gazetarëve, duke theksuar se ajo “negocioi” me Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin për të arritur anulimin.
Ishte shumë e rëndësishme që Sumar të mbizotëronte në këtë mosmarrëveshje, pasi partia tashmë pësoi një disfatë të martën, kur kabineti miratoi një plan prej gati 10.5 miliardë eurosh që shpenzimet e mbrojtjes të Spanjës të arrinin kufirin simbolik prej 2% të PBB-së nga ky vit, siç kërkohet urgjentisht nga NATO.
Duke qenë se kundërshtojnë ashpër rritjen e shpenzimeve ushtarake, NATO-n dhe politikën amerikane, palët që përbëjnë Sumarin nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre për këtë vendim.
(BalkanWeb)