Xhezmie Hoxhallari, nëna e Anxhelinës që u vra nga babai i saj në Korfuz në ditët e para të janarit tha në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 se e bija kishte dy njerëz shumë të afërt në Greqi, që ishin kumbara e saj dhe bashkëshorti afgan. Ajo rrëfeu se kur ka shkuar në Korfuz ka dashur të takojë burrin afgan të Anxhelinës por ai ndodhej në spital në gjendje të rëndë për shkak të shokut.

“Nuk e mendoja kurrë që e kishte vrarë babai (qan). Në Greqi më pritën shumë mirë, i falënderoj dhe i respektoj për atë që kanë bërë. Dhe ajo nënoja që e ka pagëzuar që është bërë nënë e dytë dhe bashkëshortin e vajzës. Nuk e takova dot sepse ai kishte kaluar një gjendje shumë të keqe dhe ishte në spital. Edhe nënoja e kishte përjetuar shumë keq”, tha nëna.

Motra e Anxhelinës siç ajo e konsideronte por që në fakt është vajza e njerkut të saj, Klea ishte një nga personat që komunikonte më shumë me të. Ajo ka qenë e para që ka ngritur dyshime se Anxhelina mund të jetë përdhunuar nga i ati. “Nuk e di të sigurt por kam dëgjuar shumë njerëz që flisnin për këtë gjë”, tha ajo.

Ndërsa pritet përgjigjja e rezultateve të ADN-së për të vërtetuar nëse Angelina Petro është dhunuar seksualisht nga babai i saj, avokati i Aleko Petros, Vassilis Noulezas deklaroi se nëse rezultatet e analizave mjeko-ligjore e vërtetojnë ai do të hiqte dorë nga çështja.

“Nëse rezultatet e analizave nga mjekët ligjorë vërtetojnë përdhunim apo dhunë seksuale nga i ati, do jap dorëheqjen menjëherë”, mësohet të jetë shprehur avokati në mediat greke. Mes të tjerash mediat greke raportojnë se vrasësi deklaroi se do i përkushtohej Zotit, pasi “i ishin errësuar sytë kur kishte kryer krimin makabër”. Po ashtu ai theksoi se vrasjen e kishte kryer pa paramendim dhe se nuk kërkonte mëshirë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Alepou, Korfuz në 2 janar. Babai shqiptar Bardhyl Guri, i njohur në Greqi si Aleko Petro vrau vajzën Anxhelinën 28-vjeçare dhe më pas e varrosi në oborrin pas shtëpisë për të fshehur gjurmët, pasi ishte kundër lidhjes së saj me një të ri nga Afganistani.

Ka qenë partneri i saj nga Afganistani që ka bërë denoncimin pasi nuk po arrinte që të kontaktonte me 28-vjeçaren. Ai ishte i pari që ngriti dyshimet se vajza mund të ishte vrarë, pasi i ati nuk pranonte lidhjen midis të rinjve. Qeni besnik i vajzës shqiptare drejtoi hetuesit në vendin ku Aleko Petro kishte varrosur të bijën.

Pas dëshmisë së Xhezmie Hoxhallarit në News24 ka reaguar agjencia “Stop krimit” që ka sjellë ndihma për familjen e Anxhelinës. Fatmir Sena tha se sapo kanë parë rrëfimin e nënës tha se kanë sjellë disa ushqime për një vit dhe do shkojnë në banesën e Xhezmie Hoxhallarit për të dërguar ndihma të tjera.
“Unë i falënderoj ata që më kanë ndihmuar. Të gjithë kanë respektin tim. Por pasurinë e tërë botës të më japin nuk ma kthejnë vajzën”, tha nëna e Anxhelinës.

Edhe bashkia e Beratit me ndërhyrjen e gazetares Eneida Petova që ka krijuar lidhjen mes familjes dhe institucionit ka premtuar ndihmë dhe asistencë për të afërmit e Anxhelinës që jetojnë në gjendje të mjerueshme.

Bashkia Berat Ok
Bashkia Berat Ok

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb