Këto janë fotot që nëna e Bleona Matës i ka dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda rreth dy vite më parë dhe pretendon se në to është pikërisht Bleona, e zhdukur 6 vite më parë. Bukurije Mata deklaron se një shtetas nga Maqedonia ka marrë vajzën dhe e mban në Angli, e se ka kërkuar një garanci 25 mijë euro.

Sipas saj, bëhet fjalë për një person të identifikuar si Mehmet Xhelatinovski nga Kërcova e Maqedonisë, emri i të cilit i është bërë i ditur policisë nga një emigrant shqiptar në Angli.

Bukurija tregon se çdo fakt, foto e të dhëna ia ka referuar organeve të rendit që deri më sot, nuk kanë bërë asgjë. Sipas saj, ai ka rrëfyer se Bleona është mbajtur fillimisht 13 ditë në Vlorë, më pas në Greqi, Maqedoni e tashmë ndodhet në Angli, ndërsa maqedonasi ka paralajmëruar se do të zhduken përgjithmonë, nëse nuk paguhet shuma e kërkuar prej tij.

Bukurije Mata ngre sërish akuza ndaj ish-kunatës së saj, hallës së të miturës Qamile Mata, duke pretenduar se shtetasi maqedonas ka përmendur emrin e saj, si përgjegjëse për trafikimin e vajzës.

Bleona Mata u zhduk 6 vite më parë, ndërsa ndodhej së bashku me hallën e saj Qamilen dhe 4 vajza të tjera, për të kullotur bagëtinë, në zonën e Zapodit. Pavarësisht akuzave të vazhdueshme të nënës së të miturës ndaj ish-kunatës, drejtësia shqiptare nuk ka provuar asgjë për implikimin e mundshëm të saj në zhdukjen e të miturës.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: