Pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore për trupin e pajetë të minoritarit grek Kostandino Kacifas, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi t’iu dorëzohet trupi familjarëve të tij. Autorizimi u firmos nga prokurori që po heton çështjen e vrasjes së Kacifas, Njazi Seferi.

Pas këtij vendimi i ati i 35-vjecarit Jani Kacifa, një nga tre motrat e Kostandinit dhe kunati i tij tërhoqën nga morgu i Tiranës trupin e minoritarit. Bashkë me trupin atyre iu është dorëzuar edhe kopje e përfundimeve të ekspertizës.

Në pritje të të birit mes lotëve e dëshpërimit e ëma e 35-vjecarit kërkon ende përgjigje për vrasjen e tij.

 “Pres djalin të më vijë në shtëpi. U lodhëm kaq ditë. E papranueshme kjo që na bëjnë. Po tallen me ne. Cili i vdekur ka ndenjur pa varrosur kaq shumë ditë? Cfarë duan nga ne? Nuk u kemi bërë asgjë, asnjëherë. Ma vranë djalin, trimin tim, në moshën më të mirë. U sëmura duke pritur. Dua të më vijë djali, ta përqafoj. Cfarë të them? U lodha…”, tha mes lotësh e ëma.

Të enjten në Kishën e Shën Thanasit në Bularat do të zhvillohet mesha e përshpirtjes dhe në mesditë 35 vjecari do përcillet në banesën e fundit. Mediat greke flasin për  shumë persona që pritet të jenë të pranishëm gjatë varrimit të tij.

Burime të News24 thanë se më herët u fol për dëshirën e familjarëve që trupi të varrosej në varrezat e ushtarëve grekë të Bularatit. Por kjo do të kërkonte lejen e Ministrisë së Brendshme, e cila nuk mund të jepej për shkak se mund të sillte konflikt e përplasje mes palëve.

Pak orë para ceremonisë së varrimit kryepeshkopi i Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, hirësia e tij Anastas iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që trupi i Kacifas të varroset sipas traditës fetare, dhe në paqe. 

“Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë.” 

Kostantinos Kacifas mbeti i vrarë më 28 tetor pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENEA. Trupi i tij u dërgua në morgun e Tiranës ku një grup prej katër ekspertësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryen ekspertizën. Ndërkohë pritet që rezultatet e ekspertizës të bëhen publike nga krimet e rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb