Nga ERJON SKËNDAJ* TIRANË– News24 ka shkuar në periferi të Tiranës, pikërisht në zonën e Mbishkozës për të publike një histori të vërtetë mjerimi, historinë e një nëne të re dhe 3 fëmijëve të saj, të cilët për shkak të varfërisë jetojnë në bunker. Në një bunker që dikur i shërbente Forcave të Armatosura dhe sot është e vetmja shtëpi për familjen me 4 anëtarë. Kryefamiljari ka vite që ka ndërruar jetë dhe e vetmja trashëgimi që i ka lënë familjarëve është jetesa në këtë bunker.

“Ky është bunkeri ku jetoj prej 12 vitesh, bashkë me 3 fëmijët. Eh si jetojmë! Ka një muaj që jemi pa drita, na i kanë prerë dhe më kërkojnë kontratë, po unë nuk kam mundësi, e jemi pa drita, errësirë fare. Nuk kemi asgjë për tu ngrohur. Jetojmë kot fare. Në errësirë, s’kemi ku të gatuajmë. Asgjë nuk kam gatuar. Kam zënë vetëm bukë për fëmijët, të hanë veç bukë thatë. Nga shteti marr përkrahjen sociale, 42 mijë lekë të vjetra, kam pas marr 46 mijë por nuk e di pse i kanë hequr. Me këto para blej një thes miell, 30 mijë lekë dhe një bidon vaji 5 kilogram, asgjë tjetër”, tregon Florie Gjana.

E pyetur nëse mund ta paguajë energjinë elektrike, Floria thotë se megjithë dëshirën, nuk ka para.

“Po çfarë të paguaj unë më përpara, ku do ti gjej ato lekë. Mirë është ti paguaj, të drejtë ka edhe shteti por me çfarë ti paguaj. Kismet edhe mund ti paguajmë, por për momentin nuk kemi mundësi”, thotë gruaja.

Për të arritur atje ku jeton Floria duhet të bësh rrugë të gjatë më këmbë nëpër baltë. Bunkeri ndodhet në kufi me zonën Lanabregas në një kodër që gjendet kilometra larg rrugës se asfaltuar dhe disi larg edhe shtëpive të tjera.

Historia bëhet edhe më shokuese e deri tragji-komike kur mësojmë se familja e varfër për të jetuar në bunker është dashur të paguajë jo pak po 3.5 milion lekë një personi që pretendonte pronësinë mbi të. Siç gruaja, pagesa është bërë në vitin 2003 me ato pak para që burri i saj i kishte mbledhur si argat në shtetin grek.

“Ka 12 vite që jetoj në këtë tunel. E bleu burri im, dikujt që është nga Kukësi, 3 milion e gjysmë. Kemi frikë që jetojmë këtu. Nuk jeton kush në bunker si unë me tre fëmijë. Fëmijët tremben, Gjithë natën duhet ti mbuloj fëmijët se është ftohtë. Djalin e kam të ftohur e s’kam ku ti marr lekët ta vizitoj”, thotë Florie Gjana.

Si shumë familje shqiptare çifti i ri nga Kukësi, Floria edhe Zabiti, bashkëshorti i saj që nuk jeton më, vendosën të jetonin në Tiranë duke braktisur një herë e mirë vendlindjen 12 vite më parë në kërkim të një jete më të mirë. Por realiteti që i priste ishte tepër i hidhur. Pas vitesh pune të lodhshme si emigrant në Greqi, Zabiti, bashkëshorti i Flories diagnostikohet me kancer dhe të gjitha paratë e grumbulluara për të blerë një shtëpi të vogël shkuan për kurimin e sëmundjes. Por kura e kushtueshme nuk dha sukses dhe në vitin 2009 Zabiti ndërron jetë.

Që nga ai moment jeta e nënës se re që tanimë duhej të rriste e vetme 3 jetimë u bë edhe më e vështirë. Floria është vetëm 31 vjeç, nuk ka arsim tjetër vetëm 7 klasë fillore. Gruaja thotë se nuk ka punuar asnjëherë sepse i është dashur të rrisë fëmijët e të kërkojë lëmoshë dyerve të botës.

“Me të falme kemi jetuar deri më sot. Dikush ushqim, dikush rroba, çdo gjë nga pak por na kanë falur deri sot. Pemën e vitit të ri e kanë rregulluar fëmijët, ua kanë dhënë shoqet”, tregon Floria.

Në shtëpinë-bunker të Florie Gjanës ka shumë pak gjëra për tu mbajtur mend e mes tyre s’ka asnjë shenjë pajisjesh elektroshtëpiake të cilat duket se janë një luks derisa diskutohet buka e gojës.

Netëve jeta në bunker bëhet e frikshme, sidomos tani që familjes i është ndërprerë energjia elektrike, të cilën nuk e paguan dot.

“Të paktën thjesht një llambë, të kem një dritë, kemi frikë. Nuk e di ça të them, jam shumë në hall, e stresuar. I bëj thirrje kryeministrit Edi Rama që sikur mendon për familjen e vetë, të ndihmojë edhe për 3 fëmijë jetima. Në bunker nuk rrihet.

Qëndrimi në terr ka bërë që fëmijët e Flories pak nga pak ta braktisin shkollën pasi për ta është e pamundur që të bëjnë detyrat.

“Kalamajtë nuk shkojnë në shkollë shumë se nuk kanë ku të bëjnë detyrat. Vijnë vonë, në 2, e sa hanë diçka dhe ikën koha. Në 3 errësohet këtu”, tregon gruaja.

Familja e varfër me 4 anëtarë rron me shpresën se mund të bëhet një ditë me shtëpi si gjithë të tjerët, të paktën ka marrë një premtim të tillë nga një fondacion humanitar.

“Ma kanë dhënë fjalën për të më ndihmuar për shtëpi, po për bukën e gojës kush do më ndihmojë?”, pyet në retorikë Floria.
Ndërsa familje si të Flories, tepër të varfra jetojnë në terr të plotë sepse nuk kanë me se ta paguajnë energjinë elektrike, qëndrimi i qeverisë është i pakompromis.

“Unë jam i bindur që ju jeni të shqetësuar seriozisht për bukën e gojës së atyre fëmijëve. Është kollaj të vajtojmë mbi një rast apo mbi 100 apo 1000 raste, por kur vajtojmë duhet të kemi parasysh se pse gjërat kanë shkuar kaq larg dhe si janë katandisur njerëzit deri në këtë pikë të hallit. Fjala vjen pse kjo nënë me 3 fëmijë nuk mund të marr një apartament, kur banesat për të pastrehat qëndrojnë peng i politikës së vjetër të pengmarrjes. Pikërisht duke parë këto halle, duke parë këto dhimbje, duke parë se si vitet kanë kaluar dhe se si bebe të lindura në bunker, po bëhen adoleshentë në bunker, unë jam shumë herë më i motivuar për të shkuar më thellë me reformat.

 

https://www.youtube.com/watch?v=bVJD5sLeVj0

Në një kohë që qeveria po ashpërson ligjet për të disiplinuar shtetasit e saj që të paguajnë energjine elektrike, ky ashpërsim po rëndon më së shumti tek shtresat në nevojë, tek familjet në varfëri ekstreme si ajo e Flories që realisht nuk kanë mundësi të paguajnë dhe jo se nuk duan.

Kjo edhe për faktin se ne 24 vite demokraci asnjë qeveri e djathtë apo e majtë nuk është marrë seriozisht me këto familje. Akoma dhe sot nuk ka një vlerësim zyrtar se cili është minimumi jetik në Shqipëri me qëllim që edhe ndihma e shtetit të mos jetë thjeshtë një lëmoshë për mbijetesë, po një ndihmë reale që garanton, një minimum jetësor të shëndetshëm për çdo shtetas shqiptar.

Janë me mijëra në Shqipëri familjet që s’kanë asnjë të ardhur veç ndihmës ekonomike, të cilat sot janë në dileme të paguajnë dritat apo të blejnë thesin e miellit për bukë.

Kryefamiljaren Florie Gjana mund ta kontaktoni për ti ardhur në ndihmë, në numrin e celularit: 0684786087.
(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb