Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi drekë në të gjitha qendrat e saj sociale, për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato. Në nderim të figurës së shenjtores shqiptare, përmes një ceremonie të posaçme, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe këshilltarë, vendosën kurora me lule në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi t’u shërbeji drekën njerëzve në nevojë në Qendrën Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila mban emrin e bamirëses së madhe, “Gonxhe Bojaxhiu”. Ai theksoi se mënyra më e mirë për ta kujtuar Nënë Terezën është të ndjekim mësimet e saj, për t’u shërbyer njerëzve.

“Mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën, nuk është duke dhënë leksione e duke bërë histori, por duke u sjellë si ajo. Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë. Ky është një rast për t’i bërë thirrje të gjithë kryebashkiakëve të rinj: Tirana ka ende cepa ku duhet të shkojë asfalti, gjelbërimi, duhet të heqim rraqe pa leje që kanë zënë hapësira publike, por ama në morinë e madhe të problemeve, ka edhe një dozë njerëzillëku. Pra, nuk është keq që një qytet tjetër, përveç Tiranës, të hapë një mensë sociale, të ketë një qendër ku ndihmohet dikush në vështirësi. Jam i lumtur që me këtë dozë njerëzillëku punon jo vetëm kjo qendër sociale, por gjithë infrastruktura jonë sociale në Tiranë”, tha Veliaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: