Nga Dalan Luzaj

Pjesa e parë
Martesa, ky akt i shenjtë në jetën e çdo njeriu i ardhur nga brezat dhe i përcjellë më tej, ngelet i tillë në çdo vend, në çdo kohë e rrethanë që të realizohet. Bashkon dy njerëz, shpesh dhe të pa njohur, krijon një familje të re dhe realizon vazhdimin e jetës në tokë, me të gjitha të mirat e të këqijat, që do sjellë koha apo fati i çdo çifti. Pasi mbaruam darkën, gjithsecili u rehatua në dhomën e ndenjes, në shtëpinë e babait në Çikago. Kur babai u largua nga Atdheu, si pjesë e humbur e Luftës, nëna ime ishte shtatzënë me mua. Na priti në Itali dhe tani u bëmë bashkë pas 50 vjetësh. Kishim folur më parë për gjërat më të rëndësishme nga jeta jonë, pak dhe nga e tij.

– Ditë më parë, ju më treguat, – foli babai – për martesat e vëllezërve dhe të motrës tuaj, sonte tregomë rreth martesës tuaj. Jeta e familjes sonë është një dramë me kulme, ku shpesh ngjarjet merrnin formën e irreales dhe kalonin jashtë normave për t`u pranuar si të vërteta, nga ata që s`patën fatin e klasës sonë.

Autori i gjithë kësaj drame të hidhur ishte babai, paçka që ai i qëndroi besnik deri në fund idealit të tij dhe Atdheut. E gjithë sakrifica e tij, u quajt “tradhti” dhe ne duhej të paguanim për këtë, ndaj nuk doja të flisja më për të kaluarën e hidhur tonën. Sa herë që ne tregonim episode nga jeta, ai rrudhej, kridhej në stuhinë e fatit, aq sa dukej se i shtohej një brengë ose i shkurtohej pjesë nga jeta e tij, por gjithsesi tepër i vëmendshëm.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

– Fol mor bir, – vazhdoi babai, – po presim të gjithë. Unë jam i sigurt se as fëmijët tuaj s`dinë rreth martesës së prindërve të tyre. S`ju kam parë asnjë fotografi martese ose nusërie.

– Me gruan time u njoha herët, ajo ishte nxënëse në shkollën 11- vjeçare “Halim Xhelo” të Vlorës, bënte vitin e dytë të shkollës së mesme. Një vit më vonë ne shpallëm fejesën. Unë isha mësonjës në fshatrat e Tepelenës. Familja jonë banonte pranë shkollës “Tregtare” në Ujin e Ftohtë, atje ku ju dikur keni qenë mësonjës.

Komunizmi kishte dhënë shenjat e një sëmundje të pa shërueshme dhe në moshën e rënies, filloi tërbimin. Në plan të parë, ishin klasa e përmbysur, paralel ai hante dhe bijtë e tij. Gjithsesi ne ishim poligon qitjeje ose çangë për të dëgjuar të tjerët. Lufta e klasave ishte fundi i ferrit komunist.

Njerëzit humbën ndjenjat më njerëzore, frika dhe tmerri shpërbënë një popull të tërë, duke futur urrejtjen e armiqve, në çdo familje për ta sunduar. Ata krijuan njeriun e ri që shpalosi karakterin brenda dhe jashtë Atdheut.

Kemi folur për internimin nga Uji i Ftohtë në Sherishtë. Sherishta është kapitulli më i hidhur në familjen tonë. Drama filloi më 1944, por goditjet i bëheshin klasës sonë, njëra pas tjetrës dhe gjithmonë më të forta, mundësisht deri në zhdukjen fizike. Këtu, në këtë periudhë, lindi arsyeja e martesës time që do të shtjelloj me tej.

Ndodhesha ushtar në Gjerven të Beratit në N.B.U. Këto Ndërmarrje Bujqësore Ushtarake, u krijuan enkas për djemtë e familjeve të të deklasuarve. Punonim me normë të lartë dhe cilësi. Kur ushtarët nuk e realizonin normën e punës, kapteri i ushtrisë, i rrinte në kokë me fener në dorë edhe natën, derisa të realizohej norma.

Në ushtri, kisha 20 muaj pa shkuar me leje në shtëpi, megjithëse në familjen tone, kishin ndodhur plot ngjarje dhe vdekje, që e justifikonin lejen.

Familjen e së fejuarës, edhe pse kishte kaluar 5 vjet internimin në Savër të Lushnjes, kur iu arratis i ati, fejesa me mua u bë shkak për dëbim nga Vlora, në fermën e Llakatundit, sektori Lubonjë, në mes të pyllit, në kasollet që dimëronin dhentë e fermës.

Tre femra në mes të pyllit. Duhet thënë se aty ishin dhe rreth 6-7 familje të tjera. Pasi kishim mbërritur në Sherishtë, tre femra, dy të sëmura, u ishte komunikuar se, s’kanë të drejtë të lëvizin jashtë fshatit. Në qoftë se kapen, do dënohen!

Më thoshnin më parë, një miku ynë çam, mik i mirë i ditëve të vështira, një mesnatë vjeshte, u kishte ardhur pas mesnate dhe u kishte sjellë një dhi racë për qumësht. Dy vëllezërit e mëdhenj, vazhdonin dënimin në burgjet komuniste.

Këto gjëra i mësova herë pas here paralel me kohën, gjente shtegun ndonjë letër ose njeri që sillte të rejat nga internimi, duke i trajtuar gjërat si krejt normale, pa asnjë mllef ose shenjë fytyre se, e keqja s`kishte fund.

Isha mësuar nga larg se, ne na mobilizuan ushtar nga Tepelena, ku punonim si mësonjës dhe jeta e fshatit kishte dy skena, ajo e fshatarëve të zakonshëm dhe tmerri ishin ata që ishin sjellë të internuar.

Më kishin ngelur edhe 4 muaj që të mbaronte shërbimi ushtarak dhe lloj-lloj mundimesh më trazonin çdo ditë që afrohej fundi i ushtrisë. Ishte një ditë shtatori e vitit 1969, kur unë ndodhesha ushtar në Gjeroven dhe postieri më sjell një letër që ma dërgonte nëna, tek shkruante saktë të vërtetën.

I dashur djalë!
Nëna të do shumë, si gjithë nënat, por ka një ndryshim, se unë ju kam rritur me kazëm e lopatë dhe lakrat s`iu ndanë asnjë herë sofrës sonë, pa e ngopur barkun me bukë. Kam rënë në një hon të thellë, sa shpesh s`bindem në është e vërtetë apo ëndërr. Zonja, është shumë e sëmurë (Zonja, gjyshja jonë) ka dy ditë që ka prerë ushqimin.

Leonora (motra e madhe) ka filluar t`i shtohet epilepsia dhe largon shpesh, ajo s`e di që është e internuar. Dje, kryetari i Këshillit me gjithë një grua, e zunë Leonorën duke ikur në fshat, e kishin sjellë tek shtëpia, që rrimë dhe jashtë shtëpisë, e kishin lidhur me litar te trungu i prerë i një peme, gjersa erdhi autoambulanca e Spitalit Psikiatrik që e mori. Mua s`më lejuan të shkoja me të se, jam e internuar.

Dy të burgosurit i kam harruar. S`di ç`të bëj bir. Të kujdesem për Zonjën, që nga dita në ditë po i afrohet fundit, të kullos dhinë, apo të shkoj në punë që të ushqehemi? Me shëndet s`jam mirë. Këto janë ato gjëra që më detyruan të kërkoj ndihmën tënde. Ti je ushtar, por mbase të japin nja dy ditë leje, sa për
të bërë ca punime, që duhen bërë se u ka ardhur koha.

Të puth, Drita.

Mora letrën dhe dola nga pas fjetores. Nuk di se si m`u err i gjithë qielli, një rrymë e ftohtë më kalonte në trup, teksa më pikonte djersë mbi letër.

Vazhdoja tregimin, pa ngritur kokën të vështroja babanë. Një çast ngrita sytë drejt tij. O Zot…edhe sot nuk jam në gjendje të them ngjyrën e fytyrës së tij. Ajo nuk ishte as e bardhë e as e verdhë, mund të ishte një kombinim i të dyjave, por gjithsesi i afronte ngjyrës së dheut, një fytyrë pa jetë. Po vështroheshim sy më sy. Ai e kuptoi shqetësimin tim.

– E mor bir…ta lexova mendimin. E hidhur…tepër e hidhur kjo letër, ta hidhje në Adriatik do helmonte bimët dhe peshqit e këtij deti. Ç`të bënte e shkreta? Ç`të bëje dhe ti?

– Asnjë herë nuk u isha drejtuar eprorëve për leje, por kësaj here u zura ngushtë.

Reparti përbëhej prej 30 ushtarësh, të gjithë fëmijë të deklasuarish. Komandant reparti ishte Stavri Bozdo, njeri i mirë, kishte rënë nga degët dhe kishte përfunduar kandidat partie në N.B.U. Ia shtrova problemin shkurt.

– Të mora vesh, – tha komandanti, – do ta shtrojmë në kolektiv, po qe se e aprovojnë edhe mund të shkosh.

Të nesërmen e asaj dite, ai bëri ritin e çdo dite para ushtarëve, pastaj u tërhoqi vëmendjen atyre.

– Shokë ushtarë! Ushtar Luzaj, ka një problem të mprehtë familjar. A jeni dakord që të shkojë me një leje 24 orëshe?
Lazja, një fshatar nga Baldushku i Tiranës, që rrinte në radhën e parë dhe që kujdesej për derrat e repartit, nuk e aprovoi.

– Hë mor Laze derri, ç`thua…a je dakord?

– Shoku komandant, pash të madhin Zot, ç`mund të bëjë ushtar Luzaj me 24 orë, pash të madhin Zot, bëjë 4-5 ditë.

– Laze derri, shko shpejt në stallë te derrat dhe kujdesu më tepër për ta. – i foli komandant Stavri.

Pasi mora biletë-daljen 24 orëshe, u nisa për Berat dhe duhej të bëja 5-6 km. rrugë në këmbë, për të mbërritur në qytet. Rrugës mendoja nënën, të mjerën, shenjtëreshën tonë…!

Gjithë jetë e saj, skëterrë. Ajo përballonte me stoicizëm vuajtjet, luftën nervore dhe ekonomike, pa ngrënë, pa mbathur, punët më të vështira gjersa dhe torturat e xhelatit, Petrit Hakani, veç kurrë nuk i’u dorëzua, kurrë s`e zgjati dorën as njerëzve më të afërt të saj.

Këto ishin gratë “reaksionare” me gjithë ç`hoqën, ngelën krenare, simbol i nderit, i sakrificës, i dashurisë, i besnikërisë, i kurajës e trimërisë, që me qëndrimet e tyre i ngritën karatin klasës që i përkisnin.

Vlora, qyteti më i dashur, kur mbërrita, m`u duk si një qytet që dikur kisha kaluar pa arritur t`i marr asnjë karakteristikë të tij. Urrejtja është e shëmtuar, por vjen një ditë që të hynë në gjak dhe të errëson sytë e mendimin. Ç`faj ka qyteti? Ç`faj ka Atdheu? Ishte një klikë banditësh që i tregoi atij populli, atë, që brezat e ardhshëm do ta quajnë përrallë.

Për të mbërritur më shpejt në fshat, i rashë shkurt ullishtave, ngjita kodra dhe zbrita fushës së Sherishtës. Sherishta dikur ishte me 10-15 shtëpi dhe ishte çiflig i Kaninës. Tani fshati kishte 150 shtëpi, të gjithë të ardhur nga fshatrat për rreth. E vështroja duke u afruar.

Ishte ndërtuar në faqe të kodrës, i ndarë deri diku në tre lagje. Këtu në fushë, jashtë fshatit, banojnë edhe kushërinjtë tanë nga ana e Luzajve. Fshati ishte i ndërtuar i tëri mbi në rrugë, që quhej vijë e verdhë.

Duke ecur, vështroja se mos shihja fatin tim, thonë se ai është përpara çdo njeriu që udhëheq në jetë, por fati ynë, me siguri do ishte vrarë pa lindur unë.

Kalova një të përpjetë dhe rashë në çezmën e fshatit. Aty, tri gra, nga të cilat dy me kazan të vogël me ujë e mbanin në kokë, ndërsa tjetra më e moshuar priste t`i mbushej ena dhe kishin hyrë në të thella të politikës shtetërore.

– Më falni, – iu drejtova më të moshuarës – ku banon një familje e ardhur nga Vlora?

– Ata të internuarit?

– Po, – iu përgjigja.

– Ja…ngjitu këtu dhe, shtëpia përballë.

– Po ç`i keni ato?

– Jam djali i asaj familje.

Sa ngjita nja 20-30 hapa të përpjetë, doli shtëpia. Një ndërtesë me gurë 3 m. x 3 m. Pa vend zjarri, pa nevojtore, pa dritë, plaçka ishte e tërë përjashta e rregulluar disi në diell e në shi. Për derë të shtëpisë ishte sajuar një copë kompesatoje e lidhur me tel në vend të menteshave.

Afrohesha, por s`di kush komandonte trupin, këmbët. Vjen një kohë, që njeriu në jetë në momente të caktuara, ku e degdis fati, kërkon me mendje (pa gjetur kurrë) fundin, paçka se e ardhmja është kaq e urryer, sa njeriu i ngelur ngushtë s`di kë zgjedhje të bëjë.

Shtyva derën e teqesë. Kjo ndërtesë, para se te shkonin njerëzit tanë, shërbente si teqe. Një plakë shkonte për çdo të premte dhe ndizte një filxhan me fitil ku digjej vaj. Në dy anët ishin dy krevatet tuaj (të martesës tuaj), gjyshja s`më ndjeu. U afrova e putha, i fola e i fillova t`i fërkoja duart dhe shpatullat. Më kot!

Ajo merrte frymë rrallë dhe shumë larg, e vetmja shenjë që më bëri më shtrëngoi pak dorën. Asnjë herë në jetë s`do mund të ndërtoja portretin e saj shpirtëror. Dashuria, ndjenja më njerëzore e kishte gatuar shpirtin dhe gjakun e saj. Ne u rritëm me të, se nëna tërë ditën ishte në punë. Ajo fliste me ne si me zemrën e saj. Ç`mund të bënte e shkreta më tepër për ne?!

Kuptova që ajo po jetonte ditët e fundit. Në një moment qetësie brenda atij vendi të shenjtë dëgjova në gurmaz të saj…o Isuf…o Isuf!

I fola. I fola përsëri, më kot! Ajo s`u përgjigj. Ç`të ishte ajo thirrje e saj!? Nga i erdhi ai zë?! Jam i sigurt se ajo klithje ka qenë e fundit nga kjo jetë.

– Nëna ime dhe gjyshja juaj – foli babai – s`kishte shkollë. Duke jetuar me një burrë të squtë dhe të urtë, siç ishte im atë, duke patur në themel squtësinë labe dhe guximin në karakter, ajo përfitoi shumë.

Në jetë gjërat i maste disa herë para se t`i priste. Mbas vdekjes së babait, ajo rregullonte të gjitha punët dhe, gjithmonë dilte e fituar. Por, zinxhirit komunist, s`kishte se si t`i shpëtonte. Ajo u fik pa patur asnjë nga tre fëmijët e saj pranë.

Dola jashtë dhe vështroja për nënën. Ishte në punë apo kulloste dhinë? Varfëria ishte laku më i fortë, që e kishte në grykë gjithë populli. Por, cila ishte varfëria e vërtetë?

Këtë më mirë se asnjë tjetër e tregojnë ato zëra që kanë ngelur gjallë nga ato internime, ku jo rrallë njerëzit s`kishin bukën e misrit (hibrid) për t`ia dhënë fëmijëve kur shkonin në shkollë dhe ata, ta shijonin si një biskotë e sheqerosur, pa lënë asnjë thërrime t`u binte në tokë. Ato nëna që shtrëngonin barkun e tyre për fëmijët dhe të mos harrojnë pjesën e mikut, nderin e shtëpisë. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb