Torturat makabre mbi trupin e 25-vjeçares Xhisiela Maloku nuk janë të rënda vetëm për përdhunimin sistematik, cigaret e fikura në kofshë, goditjet me qytën e pistoletës mbi kokë. Historia e kësaj vajze të masakruar nga njerëz me pushtet politik nuk është vetëm halli dhe fatkeqësia e saj.


Ato janë turpi dhe nënshtrimi i mbarë shoqërisë.


Tani që dosja voluminoze e këtij krimi të shëmtuar po shpaloset orë pas ore, ne kemi mundësi të shikojmë një sistem të kalbur në çdo ingranazh të të cilit gjenden njerëz të përkulur dhe të nënshtruar.


Sepse Xhisiela u end më kot në disa dyer komisariatesh dhe të gjithë refuzonin t’ia merrnin denoncimin.

Sepse gjatë kalvarit të saj, që shoqërohej me rrëmbime, kërcënime dhe përdhunime të herëpashershme, ajo u gjend përballë me shefa policie, që i thoshin me mospërfillje: “Ai që të rreh, të do”.

Sepse ajo u ndesh me punonjës rendi që duhet të mbanin anën e viktimës, por që paraqiteshin me krenari si “miq familjeje” të xhelatit.

Sepse “në ndihmë” të saj u thirr me urgjencë një avokat, – ai tani njihet me emër dhe mbiemër – , i cili e braktisi në mëshirë të fatit.

Sepse “për t’u kujdesur” për të ia behu një psikologe, që nuk vërejti as gjurmë dhune dhe as shenja traume.

Sepse kryeprokurorja e re, e dalë pas votimit të reformës në drejtësi, nuk ka bërë asnjë gjë kundër birit të një deputeti që e ka votuar si socialist zgjedhjen e saj të paligjshme.

Sepse gjoja-kolegët e mi gazetarë u kënaqën me një përgënjeshtrim të ngjarjes, kur ajo u denoncua për herë të parë kë korrik, ndërsa tani Xhisielën e përdorën si mish për top, për të shpëtuar Tulant Ballën dhe Rahman Rahjën.

Sepse të gjitha shoqatat e mbrojtjes së grave, që të hidhen në fyt po the një fjalë më tepër për një deputete femër, nuk patën guxim të belbëzojnë për këtë krim të përbindshëm.

Sepse aktivistët e të drejtave të njeriut u bukosën nga frika e përballjes me kriminelët.

Kjo pra është ajo çka Xhisiela nxori në pah: stofi i një shoqërie që është dorëzuar përpara së keqes, që i ka humbur shpresat se ajo mund të luftohet, sidomos kur është e veshur me pushtet, që ka bërë paqe të turpshme me mendësinë: “Kur të vjen e keqja, hapi derën”.

Rasti i saj, përtej dramës së rëndë personale, është tragjik, si simbol i këtij nënshtrimi të përgjithshëm.

Pikërisht kundër kësaj zbythjeje të të tërëve e solli rasti të ngrihej një nënkomisar i zakonshëm, Emiliano Nuhu, i cili vendosi ta denoncojë krimin.

Natyrisht, unë nuk e di nëse qëllimet e tij ishin idealisht të pastra, apo pragmatikisht të kalkuluara. As nuk mund të vë dorën në zjarr nëse ai është sjellë si një polic model, apo si një njeri që i është dashur të bëjë kompromise me të vërtetën për të përfituar mbrojtje politike.

Por, pavarësisht nga këto, me duken çnjerëzore aludimet që e shohin si një njeri që do digjej nga vetingu, si të blerë me para, si militant partiak, apo si kandidat për azil në Europë.

Para së gjithash, ai është njeriu që na ndriçoi për ekzistencën e një krimi të tmerrshëm.

Ai qe një nga të paktët që theu kodin e heshtjes së bashkëjetesës me të keqen. Kjo është arsyeja se pse breshëritë mbi të janë edhe më të mëdha.

Pasi ato nuk vijnë vetëm nga politikanët e prekur drejtpërdrejt. Ato shpërhapen edhe nga ajo pjesë e shoqërisë, që është mësuar me turpërimin, që ka humbur fibrën e rezistencës, që i është nënshtruar këtij përdhunimi në grup, ku askush nuk ka të drejtën të flasë dhe të reagojë për krimet e “të paprekshmëve”.

Xhisiela është pasqyra ku një pjesë e madhe e kësaj shoqërie e sheh veten të njollosur.

Prandaj nuk është çudi që ajo të urrehet në heshtje, njësoj si denoncuesi i rastit të saj po linçohet publikisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb