Komisioni i Venecias, që kreu një mision faktmbledhës dy ditor në Shqipëri bëri të ditur se 11 tetor do të publikojë një opinion mbi ligjshmërinë e akteve të presidentit Ilir Meta për anulimin e datës të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e një datë tjetër date, më 13 tetor.

Komisioni u vu në lëvizje me kërkesë të parlamentit, që ka ngritur mbi këtë çështje edhe një komision hetimor. Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë me nën-kryetarin e këtij komisioni, Alban Zeneli, mbi hetimet që po kryen komisioni, si dhe krizën politike në Shqipëri.

Deputeti Zeneli tha se procesi i hetimit ndaj Metës do jetë një proces me integritet, kur të mbarojë.

“Komisioni po mbledh fakte të ndryshme për ligjshmërinë e akteve të Presidentit. Jam në dijeni çfarë është diskutuar me Komisionin e Venecias, por nuk jam i autorizuar të flas. Unë jam garant i çdo vendimi që do të merret, që ai proces që do mbarojë, do jetë proces me integritet. Do mblidhet të gjitha faktet, edhe mbi ato pyetje që i kemi bërë Presidentit dhe përgjigjet e tij, dhe në fund do të japim një vendim. Komisioni Hetimor do ta shtyjë afatin, derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese, përderisa për çdo vendim është kjo gjykatë që vendos”, tha Zeneli.

Shqyrtimi i Reformës Zgjedhore, a jeni të shqetësuar me votat tuaja do votohet një reformë në mungesë të PD?

Ne bashkë me dy deputetët e PD, që jemi sot pjesë e grupit demokrat, jemi duke takuar miq të shumtë në Amerikë për t’i sqaruar me situatën në vend. Një ndër pikat kryesore, ku konvergojnë amerikanët është që Reforma në Drejtësi duhet të përfundojë një orë e më parë dhe pas saj edhe Reforma Zgjedhore. Një Reformë Zgjedhore që të jetë gjithëpërfshirëse, pra edhe PD dhe gjithë faktorët politikë. Një reformë të cekët, duke arnuar këtë sistem, nuk sjell asgjë të mirë në Shqipëri.

A ka krizë përfaqësimi sot në Parlament?

Deri diku jam shumë dakord me ju, sepse në një aksident tragjik siç ishte ikja e opozitës, një pjesë e mirë e deputetëve të rinj ishin për herë të parë në Parlament dhe nuk e dinin cili ishte roli i opozitës. Por, sot, opozita besoj një pjesë e mirë është duke bërë një opozitë parlamentare dhe shumë shpejt ne do jemi një opozitë substanciale, siç e kërkojnë SHBA-të.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb