KOSOVE- Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka deklaruar sot se nëse posti i kryeministrit nuk i jepet LDK-së, atëherë marrëveshja me PDK-në do të prishet.
“S’ka asnjë fije dyshimi se LDK-së do t’i takojë udhëheqja e qeverisë dhe se në këtë pozitë do të jetë Isa Mustafa. Nëse nuk ndodh kjo atëherë prishet marrëveshja me PDK-në”, ka kërcënuar Rugova.

Nga ana tjetër, zyrtarë të PDK-së deri tani kanë thënë se ende nuk është e qartësuar se kush do të jetë në krye të Qeverisë. Por, Rugova thotë se gjithçka është sqaruar pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku është votuar për të shkuar në koalicion me PDK-në por me kush që Isa Mustafa të bëhet Kryeministër.

“Vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është i qartë. Ne e udhëheqim qeverinë”, ka shtuar ai. Sa i përket pozitave ministrore, Rugova ka thënë se LDK i ka dërguar ekspertët për të biseduar me PDK-në dhe pushteti do të ndahet gjysmë për gjysmë.

Numri dy i LDK-së u shpreh se nuk do të pranojnë të marrin nën udhëheqje vetëm Ministri që nuk janë të rëndësishme. “Konkretisht nuk kemi biseduar për pozitat por LDK do të udhëheqë me ministri të rëndësishme”, ka thënë Rugova.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb