TIRANË-Kryeministri Edi Rama priti rreth orës 10:40 në një ceremoni solemne kabinetin e qeverisë së Kosovës për të realizuar mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. “Një tokë, një popull një ëndërr” ishte slogani që udhëhoqi mbledhjen e sotme, ndëra në fund të saj iu hap rruga 11 marreveshjeve të bashkëpunimit mes dy qeverive, që sipas kryeministrave Rama e Mustafa iu shërbejnë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe ushqejnë fort endrrën e bashkimit kombëtar që kalon përmes BE.

Nga ana e tij, kreu i qe3verisë shqiptare i dha një ‘shuplakë’ BE-së e Europës kur deklaroi se është turp që Kosova lihet nën regjimin e vizave. Në konferencën e përbashkët me homologun Mustafa, Rama theksoi se zërin e tij për këtë çështje e kishte ngritur edhe në Bruksel.

“1,3 milionë njerëz i mban mbyllur, atyre që iu njohu shtetin, pas një lufte ku edhe BE u përfshi. Tani nuk ju jep viza. Për mua ky është turp i BE dhe i Europës. Jini të sigurt se nuk kam problem tjetër, se shqipen e flas pak më mirë se anglishten, por edhe në anglisht di ti them ato që mendoj në shqip”, përforcoi Rama idenë e tij.

KONFERENCA E PËRBASHKËT, RAMA: MARRËVESHJET E PËRBASHKËTA KONSOLIDOJNË PROCESIN E BASHKIMIT KOMBËTAR BRENDA BE
Ora 13:40 -11 marrëveshjet dhe memorandumet e nënshkruara ditën e  sotme në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive do të konsolidojnë procesin e bashkimit kombëtar brenda BE, theksoi kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me  homologun Mustafa. “ Së bashku me kryeministrin Mustafa nënshkruan sot një sërë marrëveshjesh të cilat jemi besimplotë që do konsolidojnë një proces pa kthim të bashkimit të të gjitha forcave dhe institucioneve tona drejt qëllimit tonë të përbashkët; bashkimi kombëtar përmes Bashkimit Evropian”- u shpreh Rama.

Kryeministri analizoi më tej dobitë që do të sjellë në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri secila marrëveshje. “Jemi plotësisht të angazhuar që pas kaq shumë vitesh ku kemi një situatë të mbingarkuar me radhë të gjata ta transformojmë çdo pikë kalimi drejt Shqipërisë në një pikë pa radhë ku kontrolli të bëhet i rastësishëm ashtu siç bëhet në kufi të BE me Zvicrën. Më tutje morëm në shqyrtim hapat e domosdoshëm për bashkëpunimit ekonomik për nxitjen e  tregtisë dhe firmosëm një memorandumi të rëndësishëm mirëkuptimi me Ministrinë e Financave. Jemi shumë të vendosur që brenda vitit ti heqim barrierat e natyrës administrative dhe të njësojmë dokumentet zyrtar të nevojshëm për tregtinë, që sipërmarrësit mos punojnë me dy palë dokumente. Ndërveprimi për mësimin e përbashkët të gjuhës shqipe në diasporë. Unifikim të sistemit tonë arsimor, një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të forcave dhe përpjekjeve të dy vendeve tona”- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama shtoi se “Së shpejti do hapet konsullata e përbashkët në Mynih, ku do vazhdohet të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik. Qëllimi parësor dhe më i rëndësishëm është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Të jetuarit në hapësirën tonë të përbashkët ku administrimin e bëjnë dy shtete por aspiratat dhe interesat janë të përbashkëta.

MUSTAFA: SERBËT I KANË VENDET NË KUVEND, KUR TË DUAN MUND TI PLOTËSOJNË
Ora 13:00- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se marrëveshjet e firmosura në Tiranë janë të një rëndësie të veçantë, pasi sipas tij, “po fillojmë të zgjidhim shumë nga problemet që kanë penguar qytetarët e bizneset tona”.

Ai kërkoi që Shqipëria e Kosova, kështu siç e kanë nisur të vijojnë rrugëtimin e tyre edhe drejt Brukselit. “Bashkërisht ti kryejmë punët tona edhe në Bruksel si qëllim i dy popujve”.

Me zhvillimin e shtetit, luftohet edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar, tha Mustafa duke iu përgjigjur interesimit të mediave.

“Cështja e korrupsionit dhe krimit nuk mund të zgjidhet vetëm me masa represive, duhet të qasemi përmes zhvillimit ekonomik. Kur zhvillojmë ekonomike dhe krijojmë vende pune ne drejtpërdrejt luftojmë edhe krimin e organizuar”, shtoi ai.

Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, kryeministri deklaroi se qeveria e Kosovës ka bërë përpjekjet maksimale për bashkëpunim. Sipas tij nëse serbët kanë vendosur të mos jenë pjesë e Kuvendit, kjo është punë që ju takon atyre ta vendosin.
“Ne kemi bërë përpjekje maksimale që të krijojmë kushtet që të ushtrojmë sovranitetin e shtetit në të gjithë territorin, të bëjmë integrimin e komuniteteve. Mendoj që është arritur shumë, për faktin se në këtë përbërje të kemi sot serbët në Kuvend. Këtë proces nuk e konsiderojmë të lehtë, ata janë deputetë kanë grup parlamentar 9 plus 1. Kemi pasur një çështje që ka lindur nga një deklaratë e tyre dhe ata e kanë vendosur vetë të largohen nga Kuvendi. Unë shpresoj që serbët do kthehen në Kuvend, problemet e tyre i zgjidhin duke qenë brenda në Kuvend”.

NËNSHKRUHEN 11 MARRËVESHJE DHE MEMORANDUME SHQIPËRI-KOSOVË
Ora 12:40 Pas mbledhjes mes dy qeverive Kryeministri Rama dhe Kryeministri Mustafa si dhe ministrat e dy kabineteve nënshkruan 11 marrëveshje dhe memorandume mes dy vendeve.

Ja 11 pikat qe u firmosen

1. Do të diskutohet për bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave ”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës ë Kosovës

RAMA: REGJIMI I VIZAVE PER KOSOVEN TURP PER BE
Ora 11:00- Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e mirëseardhjes Rama theksoi se në një vit axhendat e dy qeverive janë bashkuar. Ai theksoi se shqiptarët kudo që janë aspirojnë bashkimin me Evropën e Bashkuar dhe ruajtjen e ekuilibrave në Rajon.

“Të dashur bashkëqytetar andej dhe këndej bjeshkëve. Rikthimi në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona ndodh në kohën e duhur. Cilido që i njeh objektivat dhe raundet teknike të marrëveshjeve që nga krijimi i një hapësire tregtare të përbashkët, te kontrolli kufitar dhe lufta e perbashket kunder krimit, sheh se në një vit i kemi bashkuar ndjeshëm axhendat. Ajo që ndodhi dje në Prizren është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës dhe politikëbërjes. Shqiptarët me zemërgjerësi dhe kurajo shtrijnë dorën për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Bashkimi mes veti dhe krejt rajonit me Evropën e bashkuar është ajo ç’ka shqiptarët aspirojnë.  Ne të vërtetë shqiptarët në rrugëtimin e  marrjes së të drejtave që i përkasin duan ekuilibër dhe jo prishje të ekuilibrave dhe kërkojnë thjesht atë qe u takon.”- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha gjatë mbledhjes se, shqiptarët janë shembull për bashkëjetesën me etnitë e tjera, prandaj duke u nisur nga vetja ai tha, “Kërkojmë njëzëri nga Serbia të garantojë për Preshevën as më shumë e as më pak sa i është lejuar serbëve të Veriut”.

Rama u shpreh më tej se shqiptarët janë gati t’i kthejnë në projekte bashkëpunimi gjithçka të biseduar me Serbinë, me qëllimin e vetëm integrimin në familjen evropiane. Kosova e Shqipëria, sipas Ramës meritojnë vëmendje strategjike nga Europa.

“Ta kthejmë faqen e rajonit në një faqe suksesi përbashkues, këtë projekt ia propozojnë Serbisë si një rrugëtim të pashmangshëm evropian. Ne jemi gati ti kthejmë fjalët në projekte bashkëpunimi. BE duhet më shuam se kurrë të promovojë Ballkanin. Modeli shqiptar i bashkëjetesës është mburojë dhe udhërrëfyes për Europën, për këtë arsye kemi bindjen se rajoni ynë dhe konkretisht Shqipëria e Kosova meritojnë vëmendje e qasje strategjike”, tha ai.

Rama shtoi se Ballkani është sot çelësi për sigurinë dhe harmoninë brenda kontinentit të vjetër.
“Ne kemi zgjedhur realitetin e një populli, një toke dhe një ëndrre, bashkim kombëtar në familjen europine”, shtoi ai.

Më tej kryeministri Rama deklaroi se lënia e Kosovën nën regjimin e vizave është një turp për Bashkimin Europian dhe një padrejtësi cinike për Kosovën.

“Mos heqja e vizave për Kosovën është një paradoks i madh krahasuar me të shkuarën. Regjimi i sotëm i vizave e ka kthyer në një enklavë dëshpëruese. Regjimi i vizave sot është padrejtësi cinike ndaj Kosovës, kjo duhet të marrë fund njëherë e më parë. Nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës por dhe vetë Europës. Mbajta e Kosovës nën regjimin e vizave është një turp për BE”, tha qartë Rama.

MUSTAFA: TË THELLOJMË BASHKËPUNIMIN EKONOMIK, STACIONI YNE I FUNDIT BRUKSELI
Ora 11:30- Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa theksoi gjatë fjalës së tij se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të thellohet në sektorin ekonomik. Ne fillim të fjalës së tij Mustafa tu shpreh se realizimi i mbledhjes së dy të përbashkët mes qeverive është realizimi i ëndrrës së hershme për një bashkëpunim të papenguar.

“Ky takim sikur edhe ai i pari në Prizren dëshmon se dy qeveritë po realizojnë ëndrrën e kahmotshme për bashkëpunim të pa penguar. Jemi vetëm pak vite pas luftës ku qindra mijëra qytetarë të Kosovës ishin dëbuar nga atdheu i tyre dhe kishin gjetur strehë në Shqipëri. Ky takimi ynë i përbashkët i dyti në radhë vjen në kohën kur Shqipëria ka marrë statusin kandidat dhe Kosova pret marrëveshjen për stabilizim asocim dhe marrëveshjen për vizat. Ky takim është bërë një model i bashkëpunimit rajonal. Për qeverinë që unë drejtoj prioritet mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria nëpërmjet avancimit të marrëdhënieve të përbashkëta i japin kontribut paqes dhe stabilitetit rajonal,”- u shpreh Mustafa.

Më tej ai theksoi se “Bashkëpunimi ynë i jep kontribut paqes dhe stabilitetit në rajon. Në fushat që konsiderohen të përbashkëta, të bashkëngjisim politikat tona me rezultate sa më të mundshme. Me tolerancën fetare ne sot jemi shembull në mbarë botën. Po ashtu Shqipëria dhe Kosova janë krah vendeve partnere në luftën kundër terrorizmit të kryesuar nga SHBA.“ Kryeministri i Kosoves nënvizoi se marrëdhëniet ekonomike kanë mbetur pas krahasuar me marrëdhëniet në fushat e tjera mes dy vendeve. “Marrëdhëniet ekonomike kanë mbetur më mbrapa se në fushat e tjera. Nuk guxojmë të mendojmë se afërsia unike do të zgjidhë të gjitha problemet tona. Probleme të tilla nuk mund të zgjidhen as me idealizmin romantik. Qeveritë tona duhet të heqin të gjitha barrierat që bashkëpunimi ekonomik të jetë sa më rezultativ.”Kosova dhe Shqiperia do e plotësojnë njëra- tjetrën në produkte dhe shërbime. Agjencitë tona të mallrave dhe shërbimeve janë në proces unifikimi”- u shpreh Mustafa.

Kryeministri Mustafa theksoi se integrimi euroatlantik për te dyja vendet është i sigurt. Ai cilësoi se stacioni i fundit eshte rrugëtimi ne Bruksel. “Integrimi euroatlantik është i sigurt. Kjo është një aspiratë dhe vullnet i popullit që përfaqësojmë. Prandaj do të plotësojmë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e BE.  Kosova dhe Shqipëria kanë nisur procesin e përfaqësimit të përbashkët diplomatik dhe kjo do të zgjerohet edhe më tutje. Të dyja vendet duhet të kenë gjuhën e përbashkët në të gjitha çështjet. Në planin ekonomik ne duhet të dëshmojmë se ky vend po ndërton një treg ekonomik të lirë. Të krijojmë brendet tona. Ne planin politik duhet të dëshmojmë se mund të ndërtojmë një shtet demokratik me ndarjen e pushteteve sipas standardeve evropiane. Kosova në këtë rafsh po ushtron dialogun me Serbinë për të lënë të kuptohet se të gjitha çështjet mund të zgjidhen me dialog. Ne duhet të arrijmë sa më shpejt liberalizimin e vizave. Kjo do të largonte ndjenjën e mbylljes. Të gjitha këto janë sfida që na presin në rrugën e integrimit euroatlantik. Ajo që na bashkon në këtë rrugë është se stacioni i fundit do të jetë rrugëtimi për në Bruksel. Dy ekonomitë dhe bizneset tona nuk duhet ta konsiderojnë veten si konkurrente por si bashkëpununese. Jemi optimistë për të ardhmen e dy vendeve tona.”

MBËRRIJNË NË TIRANË MINISTRAT E QEVERISË SË KOSOVËS, ZHVILLOHET CEREMONIA E MIRËSEARDHJES

Ora 10:35-Ministrat e qeverisë së Kosovës dhe kryeministri Isa Mustafa kanë mbërritur në Tiranë rreth orës 10:35 minuta për të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët me qeverinë shqiptare. Sipas protokollit te Kryeministrise shqiptare Mustafa u prit nga homologu Edi Rama me nje ceremoni mirëseardhje ne ambientete Kryeministrise, për tu zhvendosur më pas në Pallatin e Kongreseve aty ku ishte përgatitur tryeza për mbledhjen e dy qeverive.

AXHENDA
11 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi pritet të firmosen sot nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Mbledhja e dy qeverive pritet të fillojë rreth orës 11:00 në Pallatin e Kongreseve. Më pas, ajo do të vazhdojë pa praninë e mediave. Në orën 12:00 do të bëhet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve nga ministrat e linjave, ndërsa për mediat në orën 12:20 do të ketë një konferencë për shtyp të të dy kryeministrave, Rama dhe Mustafa. “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” është slogani që Kryeministria Shqiptare ka zgjedhur për këtë takim. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ditën e sotme si shumë të rëndësishme për të vendosur hapa të tjerë përbashkues në mbledhjen e dy qeverive. “Nesër ditë shumë e rëndësishme për të vendosur të hedhim hapa të tjerë përbashkues në mbledhjen e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan kryeministri në Facebook një ditë më parë.
(a.n/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb