Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës. Përmes këtij akti, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe homologja e tij boshnjake, Danijela Mrda, ndërtojnë ura lidhëse për të shkëmbyer dijet, përvojat dhe dokumentet me interes të ndërsjellë.

Në fjalën e tij për mediat, Bido u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet t’i jepet një hov zhvillimit të arkivave bashkëpunëtore, në mënyrë që të arrijnë standartet ndërkombëtare. “Ne shkëmbejmë dokumente sepse në Ballkan dokumentet e çdo kombi janë në të gjitha arkivat e rajonit tonë. Për ne është shumë e rëndësishme të kemi marrëveshje për shkëmbimin e dokumenteve që ruhen në arkivat tona mbi komunitetin e vogël boshnjak në Shqipërinë e Mesme dhe komunitetin shqiptar, që gjendet në Bosnje dhe Hercegovinë. Po ashtu, kemi mundësinë që përmes këtyre marrëveshjeve të shkëmbejmë dijet dhe përvojat tona, në mënyrë që arkivat të ecin sa më përpara dhe të mundet që të jenë të barabarta me arkivat më të mira botërore.”, tha Bido.

Ndërkaq, Mrda e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi për të ndryshuar perspektivën arkiavave përballë sfidave të së ardhmes. “Firmosim këtë marrëveshje për të hapur perspektiva të reja për bashkëpunimin në të ardhmen, për të shkëmbyer ide dhe projekte. Po ashtu, jam shumë e kënaqur që kjo marrëveshje shënoon një periudhë të re bashkëpunimi jo vetëm mes dy arkivave, por mes dy vendeve. Do kemi mundësinë të shkëmbejmë dijet, ekszpertizën dhe dokumentet tona lidhur me popujt tanë.”, u shpreh Mrda.

Marrëveshja dypalëshe motivohet nga aspirata për bashkëveprim mes dy institucioneve arkivore simotra. Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, DPA-ja dhe simotra boshnjake ndërmarrin shkëmbimin e specialistëve, në funksion të kryerjes së kërkimit të përbashkët dhe studimit të materialeve arkivore pa pagesë. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.

Në kuadrin e aktiviteteve që po mbahen me rastin e 75-vjetorit të themelimit të saj, DPA-ja nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës, duke siguruar shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptarë në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb