TIRANE- Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar ditën e sotme ceremonia e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Dhomës Kombëtare të Noterëve të Republikës së Shqipërisë dhe Dhomës së Noterëve të Republikës së Kosovës.

Memorandumi është bashkëfirmosur nga zj. Mimoza Sadushi dhe zj. Arbena SHEHU, reciprokisht Presidentet e Dhomave Kombëtare të Noterisë në të dy vendet tona, ndërsa të pranishëm gjatë kësaj ceremonia kanë qenë përfaqësues të lartë nga Ministritë e Drejtësisë së të dyja vendeve.

Nënshkrimi i këtij memorandumi vendos në baza institucionale bashkëpunimin mes dy dhomave, ndërsa synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve në të gjitha fushat mes noterëve shqiptar dhe atyre kosovarë, i cili do t’i shërbejë edhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Të pranishmit kanë përshëndetur gjatë kësaj ceremonie faktin që mbështetës në këtë bashkëpunim janë edhe Ministritë e Drejtësisë por edhe Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, i cili përfaqësohej në këtë ceremoni nga z. Mishel Merlotti, drejtues i lartë i këtij Unioni.

Përmes këtij memorandumi, palët kanë për qëllim të vendosin një bashkëpunim të ndërsjelltë e të frutshmëm ndërmjet tyre, duke u anagazhuar ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me:

* shkëmbimin profesional nëpërmjet formimit teknik – juridik e profesional, për të realizuar një njohje reciproke të dispozitave që rregullojnë veprimtarinë noteriale në të dyja vendet si dhe redaktimin e akteve noteriale,

* organizimin dhe pjesëmarrjen në takime të përbashkëta për përmirësimin e punës në drejtim të përmbushjes së detyrimeve, që burojnë nga legjislacioni civil ne vendet dhe ligjet perkatese,

* ndërmarrjen e studimeve dhe projekteve të përbashkëta për përafrimin e praktikave, etj.

Në përfundim të ceremonisë, Dhoma Kombëtare e Noterisë së Shqipërisë njoftoi se në kuadër të konkretizimit të kësaj marrëveshje bashkëpunimi, ditën e nesërme rreth 60 noterë të Republikës së Kosovës do të trajnohen mbi disa çështje me rëndësi në fushën e jurisprudencës si, kontratat e kredisë, pasurive të paluajtshme, trashëgimisë dhe sipërmarrjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: