Kalimi në të 40-at ka të mirat e veta. Pasi keni përjetuar shumë gjëra në 3 dekadat e para, jeni më të vetëdijshme se çfarë kërkoni nga jeta dhe si ta merrni atë. Ndoshta jeni në kulmin e karrierës, po ia merrni dorën prindërimit ose po kërkoni për aventura të reja që duhet t’i bënit që kur ishit më të reja. Nëse e keni pasur si prioritet stërvitjen dhe ushqyerjen e shëndetshme, me siguri ndiheni dhe jeni në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithsesi, mosha 40 vjeç është koha ideale për t’u kujdesur më shumë për shëndetin dhe kryer më shpesh kontrolle tek mjeku.

Me kalimin e moshës, rritet dhe rreziku për zhvillimin e disa sëmundjeve, si sëmundjet e zemrës, kanceri dhe artriti. Kontrollet më të shpeshta tek mjeku mund t’ju ndihmojnë të parandaloni, parashikoni dhe trajtoni sëmundjet para se të bëhen më serioze, shkruan “shëndeti”.

Ja cilat janë 9 testet mjekësore që duhet të planifikoni t’i bëni këtë dekadë.

Kontroll të tensionit të gjakut
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që duke filluar që nga mosha 20 vjeç njerëzit duhet të kontrollojnë tensionin e gjakut të paktën 1 deri në 2 vite. Sapo të kaloni në moshë të mesme, është shumë e rëndësishme që kontrolli i tensionit të gjakut të jetë primar. Tensioni i lartë i gjakut është një ndër faktorët më rrezikues për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, ku rrallë shfaq simptoma. Nivelet normale të tensionit të gjakut janë më pak se 120/80 mm Hg.

Kontroll të kolesterolit dhe triglicerideve
Përveç tensionit të gjakut, duhet të bëni analiza të gjakut për të matur edhe nivelet e kolesterolit të “keq” LDL, kolesterolit të “mirë” HDL dhe triglicerideve çdo 1 ose 2 vite që pas moshës 20 vjeç. Nëse nuk i keni bërë akoma këto analiza, mos i shtyni për më vonë: Sëmundja e zemrës është akoma vrasësi numër 1 i grave sot. 22% e vdekjeve të femrave në botë vijnë si pasojë e sëmundjeve të zemrës, që janë më shumë se të gjitha llojet e kancerit të kombinuara bashkë.
trigliceride
Kontroll për diabetin
Nëse keni faktorë rrezikues si obeziteti ose një histori familjare të diabetit, atëherë duhet t’i kishit kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak prej vitesh. Nëse jo, Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që të filloni të bëni analizat çdo vit pas moshës 45 vjeç. Mjeku mund të përcaktojë nëse keni nevojë të bëni një analizë të gjakut esëll ose një analizë A1C (analizë gjaku që parashikon një mesatare të niveleve të sheqerit në gjak për 3 muajt e ardhshme).

Mamografia
Kjo është pak e debatueshme, duke qenë se në disa udhëzime thuhet se gratë duhet të presin deri në moshën 50 vjeç, ndërsa ekspertë të tjerë thonë se mamografia duhet të bëhet që nga mosha 40 vjeç.

Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se gratë rreth moshës 45-54 vjeç duhet ta bëjnë mamografinë çdo vit, ndërsa ato mbi 55 vjeç mund të zgjedhin ta bëjnë çdo 2 vite.

Në këtë rast është edhe mjeku që mund të ndihmojë gratë të marrin vendimin e duhur, duke qenë se janë disa faktorë rreziku, si historia familjare, pesha etj, që përcaktojnë nëse duhet të bëni kontroll të gjirit që në moshë të re apo mund të prisni për disa vite.

Kontroll të syve
Edhe nëse shikimi juaj ka qenë gjithmonë i mprehtë, mos u çudisni nëse një ditë e keni të vështirë të lexoni menunë në restorant apo mesazhet në telefon. Edhe pse zhvillimi i presbiopia (vështirësia për të lexuar afër) nuk është e rrezikshme dhe një palë syze mund t’ju vijnë në ndihmë, mos e anashkaloni kontrollin e syve tek okulisti.

Shoqata Amerikane e Syve rekomandon që të bëhet kontroll i syve të paktën çdo 2 vite duke filluar nga mosha 18 vjeç, ndërsa pas moshës 40 vjeç bëhet edhe më i rëndësishëm. Duke filluar nga mosha 40 vjeç, duhet të bëni kontroll çdo 1-3 vjet për glaukomën; mjeku i syve duhet t’ju kontrollojë gjithashtu për sëmundjet e syve, sidomos nëse keni diabet.

Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës
Mund të mos e vizitoni mjeken obstetër-gjinekologe aq shpesh sa duhet nëse keni vendosur të mos bëni më fëmijë dhe jeni në një marrëdhënie me vetëm një partner, megjithatë gratë e moshave 30-65 vjeç duhet të bëjnë Pap testin dhe testin e HPV-së të paktën çdo 5 vite. Gjatë takimit me gjinekologen, mos hezitoni të ndani disa detaje intime në lidhje me jetën seksuale. Nëse jeni në një marrëdhënie të re, keni disa partnerë ose dyshoni se partneri juaj shkon njëkohësisht edhe me partnere të tjera, duhet të bëni një kontroll për infeksionet seksualisht të transmetueshme (përveç HPV-së, virusi që shkakton kancer cervikal).

Kontroll të lëkurës
Ashtu si me mamografinë, edhe në lidhje me kontrollin e lëkurës ka rekomandime të ndryshme. Shumica e dermatologëve dhe disa mjekë të përgjithshëm thonë se duhet bërë kontroll i lëkurës tek dermatologu të paktën njëherë në vit. Ndërsa ekspertë të tjerë thonë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të urdhëruar këdo që të kryejë kontrolle rutine të lëkurës tek mjekët specialistë. Ajo çka është më e rëndësishme në këtë rast është që ju vetë ta kontrolloni lëkurën rregullisht dhe, sapo të vëreni ndonjë ndryshim, konsultohuni menjëherë me mjekun.
kontroll-te-lekures
Kontroll të tiroides
Rreth 13% e grave të moshave 35-65 vjeç vuajnë nga hipotiroidizmi (tiroide jo shumë aktive), prandaj duke filluar nga mosha 35 vjeç është mirë që të nisni të bëni kontroll të tiroides të paktën çdo 5 vjet. Pasi të hyni në të 50-at, duhet të bëni më shpesh kontroll të tiroides, duke qenë se disa çrregullime të tiroides përhapen më shumë pas menopauzës.

Kontroll për depresionin
Mjeku i familjes duhet ta bëjë këtë kontroll në çdo kohë, pavarësisht moshës. Megjithatë, ka disa periudha në jetën e gruas kur ajo është më e ndjeshme. Ndonjëherë humori fillon të ndryshojë në të 40-at, ndërkohë që i afroheni menopauzës. Luhatjet e hormoneve mund të luajnë rol, gjithsesi, cilido qoftë shkaku, statistikat tregojnë se gratë e moshës 40-59 vjeç janë më të predispozuara të vuajnë nga depresioni, krahasuar me më të rejat. Shumë gra në të 40-at gjithashtu përjetojnë shumë ankth.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb