PRISHTINE-Sot shënohet 9 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, 1 vit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Presidenti historik u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

 

Në përvjetorin e nëntë të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në orët e pasdites në hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.

 

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

 

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: