Përkufizim: Neotitizmi është një qasje ndaj politikës dhe shoqërisë i cili përdor kornizat gjeopolitike dhe socioekonomike titiste në shpegimin e problemeve gjeopolitike dhe socioekonomike bashkëkohore si dhe normativizimin e zgjidhjes së tyre. Në ndryshim nga titizmi, neotitizmi nuk mbështetet medoemos në komunizëm, socializëm apo neutralitet ndërkombëtar. Ngjashmërisht me titizmin, neotitizmi është snob, elitist, anti-nacionalist, antishqiptar dhe anti-fshat.
1. Neotitizmi urren Shqipërinë. Ai priret të mbitheksojë shtypjen enveriste dhe lodhjen e Shqipërisë postkomuniste dhe të nënvlerësojnë ndihmën që i dha Shqipëria luftës së UÇK-së për çlirim.
2. Neotitizmi urren UÇK-në, duke nënvlerësuar dhe mundësisht eliminuar krejt luftën dhe sidomos rolin parësor të UÇK-së në çlirimin e Kosovës dhe duke mbivlerësuar ndërhyrjen ndërkombëtare.
3. Neotitizmi mbivlerëson vlerën e fabrikave të trashëguara (të cilat nuk kishin më vlerë pasi ishin amortizuar) dhe vajton për mosfunksionimin e tyre si një kombinim mes një trashëgimie titiste të çmuar dhe një realiteti uçkist që i “shkatërroi” fabrikat.
4. Neotitizmi aprovon dhe madje brohoret për burgosjen e udhëheqësve të UÇK-së.
5. Sipas traditës titiste të ndarjes mes shiftarit dhe albanskit, neotitizmi mohon shqiptarizmin e kosovarëve dhe përpiqet të krijojë kombin kosovar.
6. Neotitizmi ofron një format të revizionuar të historisë së Kosovës sipas të cilit, i vetmi fajtor i vuajtjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi ishte EH që i shiti ata te Tito. Ky version i historisë synon ta përqëndrojë narrativën te EH dhe ta shmangë atë nga vetë Tito, i cili ishte shkaktari drejtpërdrejtë i vuajtjeve të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
7. Neotitizmi ofron një version të revizionuar të historisë së Kosovës kur datën e pushtimit serb të saj e sjell nga viti 1912 në 5 Korrik 1990. Neotitizmi mbivlerëson pozitën kushtetuese të Kosovës në Jugosllavinë e pas 1974 dhe nënvlerëson burgosjet, vrasjet, dëbimet nga puna dhe persekutimet që pësuan shqiptarët nga 1974 në 1990.
8. Neotitizmi priret të mbivlerësojë shtetësinë e Kosovë si destinacioni përfundimtar i shqiptarëve dhe kundërshton egërsisht Bashkimin Kombëtar. Kjo është krejtësisht e përputhshme me përkufizimin që dhashë më lart se zgjidhjet neotitiste qëndrojnë brenda kornizave gjeopolitike titiste (pra, nuk mundet një shtet i dalë nga ish-Jugosllavia titiste të bashkohet me një shtet tjetër jashtë atij entiteti politik).
9. Sipas një tradite titiste, neotitizmi mbithekson multietnicitetin e Kosovës dhe nënvlerëson dhe madje përbuz pronësinë shqiptare të shtetit të Kosovës. Neotitistët refuzojnë flamurin kombëtar shqiptar dhe mbivlerësojnë flamurin e Kosovës
10. Neotitizmi mbështet pushtimin amerikan të Kosovës jo si mbrotje nga Serbia por si “mbrojtje” nga Bashkimi Kosovë-Shqipëri.
(BalkanWeb)