(Në përditësim)

NEPAL- Një tërmet i fuqishëm ka goditur sot Nepalin. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se kanë qenë dy lëkundje tërmeti, më e forta me magnitudë 7.9 ballë që e ka pasur epiqendrën mes Kathmandu dhe qytetit Pokhara. Deri më tani zyrtarisht nga policia raportohet për rreth 1100 viktima, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Si pasojë e lëkundjeve të fuqishme ka pasur dëme të mëdha materiale. Shumë ndërtesa e pallate janë shembur, mes të cilave edhe kulla e mbrojtur nga Unesco, Darharaa. Tërmeti është ndjerë deri në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, në Bangladesh e Pakistan, ndërsa frika për shumë viktima është e madhe, si pasojë edhe e dendësisë së popullsisë në zonën e epiqendrës.

Reuters raporton se së paku 50 persona konsiderohet se kanë mbetur të ngujuar brenda gërmadhave të kësaj kulle.

Ora 17:39- TGCOM dhe ANSA duke cituar Mediat lokale raporton për rreth 1500 të vdekur. Shkatërrohet kryeqyteti Katmandu, ku u shemb edhe kulla Dharahara, trashëgimi e UNESCO-s.Tërmeti u ndje gjithashtu në Indi dhe Tibet.

Sipas të dhënave të Institutit Sizmiologjik amerikan USGS, tërmeti u regjistrua pak para mesditës, me orën lokale, duke shkaktuar dëme të mëdha si shembje ndërtesash e pallate.

Spitali kryesor i kryeqytetit është në gjendje alarmi, për shkak të të plagosruve që vijnë në çdo çast për të marrë ndihmën e shpejtë. Ministri i Informacionit në Nepal, Minendra Rijal tha se deri më tani ka dëme të jashtëzakonshme materiale.

“Në Katmandu, vdekja e 71 personave është konfirmuar”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme nepaleze, Laxmi Prasad Dhakal. ”Të tjerët janë në provincën fqinje të Baktapurit”, shtoi ai. Një diplomat nepalez në Nju Delhi tha se mund të ketë qindra të tjerë të vdekur. Sipas dëshmitarëve vetëm në një pallat mund të jenë 400 viktima poshtë rrënojave. Si pasojë e tërmetit është dëmtuar dhe mbyllur përkohësisht edhe aeroporti.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: