TIRANE- Adhuruesit e interpretimit të gjallë, të prekshëm, të ndjeshëm e të fortë me siguri kanë ndjekur dhjetëra shfaqje të aktorit Neritan Liçaj. Gjatë gati dy dekadave karrierë, aktori ka veshur shumë vese e virtyte të karaktereve që i takojnë këtij shekulli, apo lashtësisë. Sigurisht, shumë nga performancat e tij në skenën e Teatrit Kombëtar janë skalitur në memorien e audiencës. Megjithatë, ata që nuk janë fansa të teatrit, nuk do të harrojnë kurrë personazhin e disa viteve më parë, Gentin, në filmin “Unë, ti dhe Kasandra”, që tronditi asokohe publikun e kinematografisë. Sa i përket të shkuarës, Neritan Liçaj ruan natyrisht kujtimet më të bukura, ndërsa aktualisht po shijon emocionet e çmimit më të fundit si “Aktori më i mirë në komedi”, me rolin e homoseksualit Vanja, me të cilin u prezantua në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë, e gjithashtu po përgatitet për një tjetër karakter në skenën e Teatrit nga autori i tij i preferuar Çehov… Por, shfaqja “Tre motrat e Çehovit” po përgatitet në kushtet kur askush nuk e di se cili do të jetë fati i Teatrit Kombëtar, fakt që sigurisht i nervozon jo pak artistët, që sipas Liçajt, privohen pa të drejtë nga informacioni…

Neritan, jeni vlerësuar së fundi me çmimin “Aktori më i mirë në komedi”…
Po, me shfaqjen “Vanja, Masha, Sonja dhe të tjerë”. Unë kisha rolin e Vanjës. Është një shfaqje e vitit të kaluar dhe vendosëm që ta dërgonim në Teatër Kombëtar në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë, i cili ndryshe quhet “KOKO Fest”. Unë u vlerësova me çmimin e parë si aktor kryesor.
Gjatë karrierës suaj keni pasur mundësinë të ngrini disa trofe. Vazhdon t’ju japin emocione çmimet?
Çdo çmim ka emocionin e tij. Ti vlerësohesh për një punë të bërë dhe natyrisht ndjehesh krenar, në një lloj mënyre, janë frytet e punës që ke bërë. Çdo çmim është i rëndësishëm, pavarësisht nga festivalet dhe pavarësisht nga përmasat që ka çmimi. Fakti që bëhej fjalë për në festival mbarëkombëtar, ku kishte trupa nga të gjitha trevat më bëri që të ndjehesha shumë i vlerësuar dhe pata emocione shumë të forta.
Vanja është homoseksual. Është e vështirë që të përfshihesh në karaktere të këtij lloji, që nuk kanë të bëjnë aspak me ty?
Nuk është e vështirë deri në momentin që futesh brenda rolit. Një homoseksual nuk ka asgjë të veçantë nga një hetero seksual, me përjashtim të devijancës seksuale. Ai është një personazh si gjithë të tjerët, por rrethanat dhe të tjerët përreth bëjnë që të dalë në pah homoseksualiteti i Vanjës. Nuk ka ndonjë vështirësi të jashtëzakonshme interpretimi. Çdokush nga ne është njohur me homoseksualë dhe të tillë kemi miq të tillë, sepse e tillë është jeta. Unë kam shumë miq homoseksualë, i vlerësoj për atë që bëjnë, ndonëse nuk i kuptoj devijancat e tyre. Nuk m’u desh ndonjë punë kërkimore për të krijuar personazhin.
“Dikush do që të kujdeset përmua” të burgosi, madje dyfish për shkak se interpretonit rolin e një gazetari…
E bukura e këtij roli është pikërisht këtu, që një person shumë i lirë, siç janë gazetarët, që profesioni u heq të gjithë kufijtë, aq më tepër një gazetar irlandez i rritur me liri të pamasë të burgosej dhe të futej në një kufizim lirie të tillë, siç ishte marrja peng në një birucë. Ishte pjesë shumë e bukur dhe vërtetë e kam punuar me shumë pasion, sepse ishte një rol që kërkonte impenjim të madh. Ka qenë një rol voluminoz, por vetë karakteri rebel dhe bipolar, që sa i fortë ishte në dukje, deri diku edhe vulgar, aq i brishtë ishte edhe së brendshmi, aq i thyeshëm ishte si ndjeshmëri njerëzore.
E do publiku satirën?
Patjetër, pa diskutim! Madje, unë nganjëherë them se funksionon më mirë satira sesa komedia në publik. Publiku shqiptar i ka të dyja shumë të dashura, edhe të qeshurën, edhe të qarën. Prandaj satira është një zhanër që pëlqehet shumë, sepse i ka të dyja brenda, i ka të ndërthurura komiken me dramatiken, deri diku edhe tragjiken.
Aktualisht jeni duke punuar një shfaqje të re?
Po, një vepër të Çehovit, e cila është dashuri pa fund, sepse Çehovi është i adhuruar nga aktorët në të gjithë botën, aq më tepër kur flitet për një nga kryeveprat e tij, “Tre motrat e Çehovit”. Për ne është një sfidë e madhe, por shumë e bukur.
Çfarë e bën të veçantë për ty këtë shfaqje, çfarë të tërheq më shumë?
Fillimisht vetë dramaturgjia, së dyti është fakti që punohet nga një regjisor shumë i mirë, i cili përveçse është miku im, është edhe një nga regjisorët më cilësorë shqiptarë, Hervin Çuli. Kam besim shumë edhe tek ai si regjisor dhe e di që do të japë një spektakël teatral të fortë, të bukur dhe mbresëlënës. Prandaj edhe përgjegjësia është e dyfishtë, shumë e madhe.
Me sezonin e ri Teatri duket se po ecën me ritme të shpejta sa u takon shfaqjeve të vëna në skenë?
Fatmirësisht! Është shumë e vërtetë, Teatri po punon. Kemi parë shfaqje të mira, shumë të mira… Ka edhe cenime, por kjo është normale në të gjithë botën, ka shfaqje të mira dhe më pak të mira. Rëndësi ka që po punohet dhe që produkti cilësor po vjen në ngritje dhe kjo është shumë pozitive.
Megjithatë, ende jemi në diskutim për gjendjen e godinës së Teatrit Kombëtar…
Po, është një gangrenë e madhe dhe jemi shumë të shqetësuar të gjithë, sepse nuk dimë ende se çfarë po bëhet. Gjithçka është kaq e mjegullt dhe askush nuk vjen të sqarojë se çfarë do të bëhet dhe cilat janë hapat që duhen hedhur. Ne si komunitet teatror, dimë aq sa mësojmë nga mediat. Kjo nuk është e drejtë, sepse shteti ka struktura që të na informojë për hapat që do të hidhen dhe të jemi më të kthjellët për atë që do të ndodhë. Ndoshta dini më shumë ju të medias se çfarë do të ndodhë me Teatrin, sesa ne që jemi përditë aty dhe kjo është e padrejtë.
Është diskutuar më herët për një prishje të godinës. Cili është qëndrimi yt?
Prishje të Teatrit nuk ka dhe as nuk duhet të çohet nëpër mend. Nuk mund të lësh Shqipërinë pa një kombëtare futbolli. Sa i takon transferimit, do të jetë i përkohshëm. Mund të shkojë atje Teatri sa të ndërtohet i riu. Sidoqoftë, nuk jam shumë në dijeni, nuk di shumë detaje, por jam i sigurt që pa Teatër Kombëtar, Shqipëria nuk mund të mbetet, sepse do ishte turp për të gjithë kombin, jo vetëm për politikën. Është turp që të mos ketë Shqipëria në shekullin e 21 një Teatër Kombëtar dinjitoz, një godinë të mirë, moderne dhe të bukur, ku spektatori të vijë e të shijojë vlerat më të mira të Teatrit Shqiptar. Teatri Kombëtar është i shenjtë.
Në deklaratat tuaja të mëparshme për këtë çështje keni reaguar ashpër. Pse?
Po, sepse mendoj se është shumë e padrejtë që të mos informohemi për situatën. Jam shumë i pakënaqur dhe i revoltuar për këtë fakt.
Si kanë reaguar drejtuesit e institucioneve për këto deklarata? Ke pasur presione, apo sulme? Je ndjerë i rrezikuar?
Jo, aspak. Jemi në demokraci dhe të drejtën e fjalës e kemi të gjithë. Asnjë nga institucionet nuk më ka lëshuar ndonjë sinjal mbi qëndrimet e mia. Nuk kam pasur asnjë lloj presioni dhe më vjen mirë, sepse më në fund është kuptuar e drejta e fjalës në Shqipëri. Në momentin që do të kisha ndonjë paralajmërim, apo kërcënim të sgjë për të thënë mendimin tim.
Në kinematografi ke ndonjë projekt të afërt?
Po, kemi projekte, por këto ditë bëhet konkursi dhe më pas të shohim. Janë 2, apo 3 projekte dhe varet se cili prej tyre do të aprovohet. Ende nuk është e ditur se kur do të fillojë, sepse ende janë projekte të pafinancuara.
E ke ndërtuar jetën në skenën e Teatrit. Televizionin e ke konsideruar si mundësi?
Për fat të keq në Shqipëri nuk kemi shumë teatro, ndaj është e drejta e kujtdo që të bëjë zgjedhjen e tij. Kështu që kolegët e mi, të cilët sigurisht e duan shumë teatrin, detyrohen për shkak të mungesës së hapësirave të punojnë në televizion. Nuk ka asgjë të keqe, edhe ajo është një formë arti. Unë personalisht e dua shumë teatrin dhe nuk besoj ta marr konsideratë, sepse nuk e ndjej veten shumë pranë atyre formateve. Është një zhanër që nuk mendoj se e bëj mirë.
Neritan, je baba i dy djemve. Si i ke ndërtuar marrëdhëniet me ta?
Jam një baba që komunikoj. Normalisht që ka momente që edhe unë bërtas në shtëpi, por përpiqem gjithmonë që t’i bind ata të bëjnë, apo të mos bëjnë diçka me argumente. Mënyra më e mirë, që mua më ka funksionuar deri tani është të biseduarit. Aq më tepër që tani ata janë rritur dhe i kuptojnë gjërat më mirë. Vetëm kështu mund ta edukosh fëmijën, sepse duke e urdhëruar bëhet thjesht një qenie mekanike.
Nga çfarë rrezikohen më shumë fëmijët sot?
Ka shumë rreziqe. Duke filluar që nga fakti se rriten në dy realitete të ndryshme. Në familje rriten me shumë dashuri, mirësjellje, ndërsa jashtë gjejnë një realitet të egër, shpërfillës e shfrytëzues. Kjo është një nga problemet më të mëdha që kam unë si prind.
15 vjet martesë?
Në fakt 16 vjet bashkëjetesë dhe 18 vjet dashuri.
Cila është pika më e fortë e martesës suaj, apo pika e dobët?
Pika më e fortë është dashuria. Si të gjithë edhe ne kemi kontradiktat tona dhe probleme të ndryshme që duhet t’i zgjidhim, por kur në mes është dashuria, gjërat bëhen shumë më të lehta. Sa i takon pikës së dobët, të dy nuk jemi aspak ekonomiqarë, nuk jemi praktikë të dy. Nuk jemi administratorë të dy.
Duket si klishe, por në fakt të gjithë prindërit mendojnë për të ardhmen e fëmijëve. I sheh në Teatër?
Unë dhe bashkëshortja ime përpiqemi të ndërtojmë qytetarë të mirë e të edukuar, që të dinë të dallojnë të mirën nga e keqja. Megjithatë, do doja që arsimin e lartë ta marrin jashtë Shqipërisë. Nuk kam besim tek arsimi i lartë këtu, sepse në vend që të ishte në ngritje, në fakt është në rënie dhe kjo më bën skeptik. Mendoj se fëmijët e mi do të merrnin një formim më cilësor jashtë vendit. Nuk do t’u sugjeroja teatrin, për mua është shumë mirë çfarëdo zgjedhje që ata do bëjnë. Po i edukoj me shije të mira artistike, por nëse bëhen artistë, mekanikë, inxhinierë, apo doktorë, këtë le ta zgjedhin vetë, nuk mendoj të ndërhyj.

(ma.ar/Vip Pages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: