Nga: FATMIRA NIKOLLI*

Kur Hajnrih Bël (Heinrich Boll) publikoi “Kllounin” më 1963, vepra u prit me polemika të mëdha. Kritikat ndaj Kishës dhe CDU-së (partisë), kishin ‘lënduar’ jo pak gjermanë që asokohe po rrekeshin të ‘pendoheshin’ për Luftën e Dytë Botërore. Shkrimtari që ndërkohë kishte nisur rrugëtimin drejt “Nobelit”, megjithëse besimtar, nuk ia falte Vatikanit paktin që kishte bërë me nazistët më 1933, një pakt i cili u duk se i dha një legjitimitet ndërkombëtar regjimit, kur ai qe veçse në hapat e parë.
Vepra, sjell një artist (klloun) antikonformist, që kritikon kishën, drejtuesit që dikur i shërbenin nazizmit e me të njëjtin zell shtetit të ri, kritikon familjen, pushtetet, hipokrizinë dhe gjithë ç’u bë në emër të ‘tokës së shenjtë gjermane’. 50 vite pasi u shkrua, “Kllouni” i Bëlit (që në shqip vjen me titullin “Me syrin e një kllouni”), shtrihet rehat në realitetin shqiptar, pa krijuar asnjë kërcitje, ndërkohë që emrave që i kanë shërbyer komunizmit, sot iu vlon në shpirt një tharm i fortë prej shërbëtori të popullit. Vepra e përkthyer nga Ardian Klosi, nën regjinë e Ema Andreas dhe interpretimin e Neritan Liçajt (dhe vetë Andreas), u vu në skenë 8 vite më parë. Këtë fundjavë, ajo shënoi një rikthimin të suksesshëm në Teatrin Kombëtar.
Ndonëse nga vepra përfytyrimet mund të jenë të ndryshme, skenografia është e thjeshtë. Kllouni ka vetëm një karrige, dhe kontrastin bardhezi të fytyrës së lyer e kostumit. Herë pas here, ndriçimi krijon tjetër atmosferë, në funksion të asaj çka kllouni rrëfen, në funksion të çasteve të koleksionuara. “Unë jam klloun, koleksionoj çaste”, përsërit Liçaj në skenën e pamatë, teksa zhvesh nga maskat, personazhet me të cilët ka kaluar të 27 vitet e jetës, dhe vetë realitetin e tij.
Paçka mesazhit që përçon, dramacitetit që përcjell dhe përtej faktit që pothuaj është i vetëm në skenë (pa harruar ndërhyrjet e Andreas, që sjell personazhe të ndryshme të jetës së kllounit), Liçaj të mban mbërthyer përreth një orë pa u bërë i lodhshëm. E në fund, teksa ai lë skenën, një arie e “Il Pagliacci-t”, interpretuar nga Luçiano Pavarotti, përcjell publikun e hutuar që ka humbur nga sytë aktorin. ‘Kllouni” e pret publikun jashtë teatrit. Për ta përcjellë. Dhe të dyja netët, Liçajt iu desh të rrinte jashtë minuta të tëra gjysmë i zhveshur për të përcjellë publikun, teksa ky i fundit qëndroi jashtë në këmbë minuta të tëra për të nderuar artistin.
Liçaj vjen në “Gazeta Shqiptare” në një bisedë mbi rolin, mesazhet, pjesën, Shqipërinë dhe dallimet e pikëtakimet mes tij dhe Hans Shnirit, mes tij dhe Kllounit, dhe e gjitha nis me një të vërtetë të pakëndshme: “Në vende të varfra si i yni, frika ndaj antikonformizmit është shumë më e madhe”.
Një pjesë që, kur është botuar në Gjermani, ka pasur polemika, jo vetëm për portretizimin e kishës, por edhe të CDU-së. Sa e vështirë është sot mbas kaq vitesh “të dalësh kundër” kishës, besimit?
Është, është! Dhe jo vetëm në Shqipëri. Marrim shembullin e “Charlie Hebdo”-së në Francë. Në fund fare është një gazetë që u penalizua aq rëndë, në formë makabre, duke i vrarë gazetarët. Pushteti i besimit është një nga pushtetet më të mëdha në botë. Pushteti i fesë, sikurse është pushteti i parasë është i madh, dhe kllouni po ta vësh re, të dyja këto pushtete i sulmon. Është, le të themi, kritik i ashpër, qoftë ndaj pushtetit të parasë, dashurisë së përjetshme për paranë, qoftë edhe ndaj kishës, sepse janë këto dy institucione (sepse duam a nuk duam, feja dhe paraja janë institucione) që, sipas autorit Bël, zvetësojnë pak anën emocionale dhe shpirtërore të njeriut. Unë i jap diku të drejtë, edhe pse e pranoj fenë e besimin, por dhe paranë, sepse janë gjëra pa të cilat njeriu nuk bën dot. I jap një lloj të drejte Bëlit në këtë sulm ose kritikë të ashpër ndaj fesë e parasë.
Ka një moment, kur Hans Shniri ironizon kur flet për tokën e ‘shenjtë e gjermane’ dhe luftën në emër të saj. Nëse në vendin tonë, një aktor a klloun do të thoshte se, “ç’na duhen tokat që Shqipërisë i mbetën jashtë kur ne nuk po dimë të qeverisim këto që kemi”, çfarë do ndodhte?
Kjo logjikë juaja qëndron. Një nga problematikat më të mëdha që ka shoqëria shqiptare, për mendimin tim, vendi ynë, të cilin e dua pa fund, por ia njoh këtë si problem. Ne e kemi pak të vështirë të ndërtojmë shtet. E kemi pak të vështirë t’u bindemi rregullave.
E kemi pak të vështirë, le të themi, të zbatojmë ato ligje që ne vetë i bëjmë si shoqëri, përmes parlamentit, politikëbërjes etj.
Është ky problem. Shqipëria e ka pasur të vështirë t’i bindet ligjit; i bindet policit më tepër, frikës.
Një aktor antikonformist në Tiranë, sa të vështirë e ka të ecë në art? Nëse kritikon një drejtor teatri apo ministrinë për politika të caktuara, sa të vështirë e ka pastaj të ecë para përmes rregullave të tyre?
Nuk e ka të vështirë. Edhe unë kam kritikuar kur kam menduar se është gabim diçka. E kam kritikuar dhe e kam bërë me koshiencë të plotë. Nuk ka asgjë të keqe të kritikosh. Nuk jam për të mos kritikuar; kur ka probleme, duhen kritikuar, duhen nxjerrë në pah. Asnjëri s’duhet të ketë frikë nga këto gjëra. Unë nuk jam penalizuar. Sigurisht, ka pasur mendime ndryshe nga i imi dhe është më se normale për një demokraci. Kemi arritur në një pikë, dhe më vjen mirë, që në fund fare të drejtën e kritikës dhe të drejtën e fjalës, e ka çdonjëri në këtë vend dhe s’ka pse të mos e ketë.
Kllouni, ndërsa flet për realitetin gjerman të kohës, të sjell ndër mend Tiranën sot. Ka emra që dikur drejtonin, dikur në Shqipërinë bardh e zi, emra që sot sërish drejtojnë, Shqipërinë me ngjyra.
Gjermania ishte në diktaturë para se të shkruhej vepra, edhe ne kemi qenë diktaturë para se ta vinim veprën në skenë. Kur Bëli shkroi “Kllounin”, Gjermania sapo kishte dalë nga diktatura hitleriane, ashtu si ne. Pavarësisht nga ngjyrat, diktaturat një portret kanë, dhunën, dhunimin që i bëhet njeriut; paçka se njëra është e majtë e tjetra është e djathtë, janë diktatura. Prandaj ka shumë pika referimi dhe prandaj te klouni gjen elementë të realitetit të sotëm shqiptar.
Cila është për ju skena që për-çon mesazhin më të fortë?
Janë shumë të gërshetuara. Është dhimbja për motrën, e cila ditët e fundit të luftës dërgohet nga familja vullnetare për të mbrojtur ‘tokën e shenjtë gjermane’. A ka kuptim të çosh një 16-vjeçare të luftojë? S’ka! Është humbja e dashurisë së madhe, Marisë. Është familja, ngrohtësinë e së cilës nuk e pati kurrë sepse, nëna ishte aristokrate dhe aristokratët kurrë nuk i shfaqin ndjenjat. Babai ishte një njeri që nuk foli njëherë me Hans Shnirin si prind, por gjithmonë ruante distancën mes tij dhe vetes, që është e habitshme për një familje. Janë raportet e munguara të Hans Shnirit, që e bëjnë atë të jetë një personazh shumë i bukur, shumë tërheqës dhe njëkohësisht, një personazh që nuk viktimizohet. Ai nuk thotë “obobo sa kam vuajtur unë”. Ai preferon të dalë e të bëjë teatër rruge.
Qoftë edhe në ato lokalet ku e ndjekin vetëm pleq e punëtorë roje nate, që nuk dinë se kur do duartrokasin…
Po, ekzakt. Është një figurë komplekse, sepse përmes jetës së kllounit shpaloset dhe shpërfaqet një shoqëri e tërë, me gjithë koloritin e saj.
A ka paralelizma të vetë Neritanit me Hans Shnirin, jetët tuaja në dy kohë, që duket se është e njëjta?
Sigurisht, sepse siç thashë, edhe ne kemi kaluar një diktaturë. Edhe unë kam jetuar deri në moshën 21-vjeçare, në një sistem, ku ti nuk duhej as të mendoje. Pra, në momentin kur Hans Shniri flet për diktaturën e kohës hitleriane e rininë naziste, unë kujtoj rininë time komuniste, në kuptimin e të qenurit në një shoqëri të tillë. Më kujtohet Organizata e Rinisë, ku neve na fusnin me zor, në kuptimin që bëheshe anëtar i Organizatës së Rinisë pa ndonjë dëshirë. Gjen paralelizma pa fund, sepse realitetet janë shumë të ngjashme, mes Gjermanisë së atëhershme me Shqipërinë e sotme, të Hans Shnirit të atëhershëm në diktaturën gjermane me Neritanin e diktaturës enveriane.
Në fund të shfaqjes, pse del kllouni jashtë?
Sepse ka degraduar, sepse nuk e pranojnë më në teatrot e mëdha dhe ai nuk pranon kompromisin që i jep e ëma ose i ati: hiq dorë nga kllouni, bëhu një aktor i madh dhe do të të financojmë. Jo, ai nuk e tradhton veten e tij, dhe pranon më mirë të vuajë dhe të dalë në rrugë sesa të heqë dorë nga dashuria e tij, që është të qenit klloun.
Sa ka ndryshuar shfaqja “Me syrin e një kllouni” në këto tetë vite?
Thelbi është i njëjtë, vetëm është plotësuar. Ema (Andrea) futi elementë të rinj për ta plotësuar, dhe të gjithë ata që e kanë parë herën e parë dhe tani, më kanë thënë se kishte edhe më shumë kolorit.
Do jetë prapë sërish në skenën e teatrit?
Do jetë në repertorin e Teatrit Kombëtar. Është menduar të hartohet një turne në Shqipëri dhe në trevat shqiptare jashtë, por do ende pak kohë.
A do vijojë kllouni të dalë nga skena dhe të presë publikun i zhveshur jashtë, të ftoheni sërish dhe të shkoni në spital?
Thelbi është ky: nuk do e tradhtoj të dalurin në rrugë!
Së fundmi, keni pasur role te “Vanja, Sonja, Masha etj.”, te “Shtëpia pa dritare”, dhe së fundmi Kllouni. Kanë qenë tri personazhe krejt të ndryshme. Ku e gjejmë Neritanin më shumë, apo keni veshur kostumit e rolit tek të tria?
Aktori gjen pika kontakti me cilindo personazh. Kjo është një nga detyrat e aktorit, që te personazhi të gjejë pikat e përbashkëta, në mënyrë që ta interpretojë sa më mirë. Te “Shtëpia pa dritare” (roli i mafiozit) është realiteti ynë shqiptar. I kemi mafiozët rrotull, njerëzit e botës së krimit i shohim përditë, madje i kemi edhe miq. Është më e kollajshme. Për sa i përket Vanjës, aty ka një monolog të famshëm që tregon se si jemi dixhitalizuar në atë pikë, sa nuk jetojmë dot pa celularin, pa ndjekur internetin, pa ndjekur rrjetet sociale apo mediat. I gjen lidhjet me rolet.
Aktualisht keni filluar provat për një tjetër pjesë…
Po, filluam provat për premierën “Gruaja në dritare”, që fitoi Netët e Leximit të dramës shqipe, me autore dramaturgen e miken time Artë Arifaj, që ka bërë një pjesë që u vlerësua. Regjia e pjesës është e Rovena Lules, pedagoge në Akademinë e Arteve, dhe interpretohet nga një kastë e mrekullueshme aktorësh, ku janë: Karafil Shene, Olta Daku, Yllka Mujo, Gert Ferra, Dritan Boriçi dhe unë. Do jetë në mes të prillit dhe është një pjesë që më pëlqen sepse ka problematikë shqiptare, i flet realitetit tonë, i flet emblemës, i flet familjes, njeriut shqiptar. Merret shumë me këtë, më josh e më tërheq, sepse ka në fokus jetën e njeriut, shqiptarin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: