TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani duke komentuar protestën e opozitës dhe vijimësinë e saj tha se pjesëmarrja e popullit ishte tej parashikimeve.

Ristani së bashku me Enno Bozdon janë dy organizatorët e protestës dhe më herët BalkanWeb raportoi se nëse protesta e opozitës zgjat pas orës 16:00, orari i parashikuar nga policia për mbylljen e saj, do të procedohen penalisht. I pyetur nga gazetarja Elda Menga gjatë lidhjeje direkte për “News24” nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Ristani iu përgjigj se “këto janë dokrra”. Ndërsa paralajmëroi live kryeministrin se opozita do ta largojë me forcë nga pushteti.

Policia tha se do të ketë procedim penal për dy organizatorët e protestës…
Pjesëmarrja e popullit tej parashikimeve, që do të thotë se të gjithë bashkohen se Shqipëria po shkon keq e më keq, që jemi vendi më i varfër në rajon, me administratë të krimializuar, me pushtet të kriminalizuar dhe që sot rrezikojmë zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo është kauza jonë. Nuk kemi synim tjetër, do ja arrijmë patjetër. E vetmja mënyrë të rrëzojmë Ramën dhe bandën e tij. Orari? Janë gjëra të parëndësishme. E rëndësishme që t’u japim shq1iptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ku ndryshon protesta e sotme me protestën e PS-së më 21 janar?
PD ka ftuar popullin në protestë për të arritur synimin që unë ju thashë. Protesta e rilindësve ishte një protestë e bandave të krimit për të sjellë krimin në pushtet. Këtu dallimet janë siç thotë ndonjëherë zoti Berisha, e diçkaje të pamundur, “të gjesh eskimezë në shkretëtirë”.

Basha tha se nuk do të ketë zgjedhje nëse nuk arrihet qëllimi?
PD është parti që ka ardhur në pushtet me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do të rivijë me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nëse Edi Rama nuk largohet…
Do ta largojmë me forcë, me forcën e shpirtit dhe të mendjes.

Çfarë nënkuptoi me forcë?
Me forcën e protestës demokratike ne do t’ja arrijmë. Do të përballet me zemërimin popullor që do të vijë në ngritje. Të gjitha mjetet demokratike nuk janë të përjashtuara.

A do të vijojnë të rrinë deputetët e PD-së këtu?
Do të vazhdojmë të rrimë këtu në krah të protestuesve.

A ishin të gjithë deputetët sot në protestë, znj. Topalli, znj. Bregu?
Nuk e di kam qenë në mes të protestuesve. Por duhet të kenë qenë.

Nëse ju thërret policia a do të shkoni?
Ato janë dokrra. Nuk ka asgjë tjetër rëndësi përballë zemëratës popullore për të hequr qafe krimin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb