Kur kanë mbetur edhe 12 ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka treguar se çfarë do të bëjë PDK në rast se Kurti dështon në krijimin e qeverisë së re.
“Nëse Kurti do të dështonte, ne për 48 orë i takojmë pakicat. Për ne ka qenë e rëndësishme edhe para qytetarëve me tregu një shembull ndryshe prej Kurtit. Shembull të respektimit të vendit tonë, të ligjeve, të Kushtetutës sonë. Për 48 orë ne e kryejmë në momentin që Kurti dështon, për 48 orë me takime e me krejt bëhen”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se presin që Kurti ta konsumojë të drejtën kushtetuese që i pari të provojë formimin e qeverisë pasi, sipas tij, nuk duan t`i lënë fare hapësirë që të viktimizohet.
“Ne nuk dëshirojmë që ai nesër të viktimizohet që ne nuk lamë. Jo more zotëri, ne jo që po të lëmë, po të ftojmë: urdhëro bëje qeverinë. Të takon ta provosh i pari, mos na humb kohë, konstituoje Kuvendin me 15 prill, merre mandatin pasdite edhe bëje qeverinë, nëse je i zoti, para 30 prillit”, tha Krasniqi.
(BalkanWeb)