Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zbuluar mesazhin e fortë që i ka dërguar kreut të opozitës, Lulzim Basha, menjëherë sapo ka nisur protesta e 8 qershorit, në të cilën ai kishte informacione se do të ndodhnin përplasje.


Meta tha se e ka paralajmëruar Bashën se nëse do të ndodhë diçka para Kuvendit, përgjegjësia ekskluzive do të jetë e tij dhe e gjithë atyre që kishin organizuar këtë protestë.


Në Komisionin Hetimor, Meta deklaroi se ka komunikuar në telefon me Bashën atë ditë, madje edhe me përfaqësues të tjerë të opozitës, të cilëve ju ka kërkuar të largohen nga Kuvendi.


Ulsi Manja: Ju referuat disa herë protestës, ku thatë se “kisha informacione të besueshme se do digjej Kuvendi”. Nuk e di sa të besueshme kanë qenë këto informacione, por Kushtetuta ka zgjidhje. Ju si President dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i konsideroni informacione shumë të besueshme se mund të kishte destabilizim dhe përplasje civile, a tentuat që me këtë argument t’i ulnit palët politike para se të merrnit firmosjen e dekretit?

Ilir Meta: Ky informacion i një institucioni mjaft të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare, ka qenë një informacion kritik, sepse përputhej me shumë informacione dhe paralajmërime publike e jo publike për atë se çfarë mund të ndodhte në protestën e 8 qershorit. Ekipi im i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që ka dhe informacione të tjera, gjykoi që situata ishte emergjente. Unë jam kthyer më 8 qershor nga Gjermania dhe kam qenë në zyrë pak para se të fillonte mitingu i opozitës.

Kishim nevojë të studionim edhe më shumë për shfuqizimin e 30 qershorit, vendosëm të bënim publik dekretin para fillimit të protestës për të parandaluar përshkallëzimin e protestës dhe për të shmangur drejtimin e protestuesve drejt Kuvendit të Shqipërisë. ky ishte paralajmërimi im për Bashën kur e mora në telefon sapo filloi protesta. Kur u shfaqën para Kuvendit disa protestues komunikova me disa përfaqësues të opozitës, që të shmangeshin nga Kuvendi. Madje bëra dhe një thirrje që qytetarët të shpërndaheshin. Mesazhi ka qenë i qartë për Bashën dhe të tjerët, se nëse do të vazhdonin aty dhe do ndodhte diçka, përgjegjësia do ishte ekskluzive e tyre, sepse ishin paralajmëruar më parë për këtë gjë.

(d.ç./BalkanWeb)