Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë rrugëtimin me zbatimin e reformave dhe plotësimin e kushteve, edhe nëse Këshilli Evropian nuk vendos për hapjen e negociatave.


Gjatë konferencës me homologun italian, Xhuzepe Conte, kreu i qeverisë shqiptare tha se më 19 tetor dielli do të lindë sërish, edhe nëse nuk do të kemi një “PO” të qartë nga KE.


“Për ne Evropa është një marrëdhënie e fortë, që ka një prejardhje të hershme, që është pjesë e historisë sonë, e ëndrrës sonë. Për ne Evropa është një hapësirë sigurie. Ne vijmë nga një epokë jo shumë e largët në kohë, ku gjendeshim si Koreja e Veriut e Evropës, kemi parë luftën me sytë tanë.


Gjysma e kosovarëve braktisën shtëpitë e tyre dhe mbërritën te ne, kur ne ishim të rritur, të pjekur. Historia nuk është thjesht një film bardhë e zi. Është rrugëtimi i vetëm, jo për Evropën, por për ta shndërruar Shqipërinë në një shtet të së drejtës, në një shtet evropian. Ne nuk po kërkojmë dhuratë, lëmosh, por atë që na përket. Ne po kërkojmë vetëm të çelen negociatat, më tej do tregojmë se duam të bëhemi pjesë e BE.

Në këto momente, shumë prej vendeve anëtare të BE, po të ishin në vendin tonë, do të kishin bërë të njëjtën gjë. Më 19 tetor dielli do të lindë sërish, jeta është e bukur. Nëse nuk do të kemi një “PO” të qartë, do ta marrim parasysh dhe do të vijojnë, sepse në fund të fundit, ky rrugëtim është për ne”, deklaroi Rama.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb