Vera e këtij viti e mbushur me anatema opozitarësh, protesta dhe një histori zgjedhjesh që do të duhet ta harrojmë pati dhe shkëndijëza të këndshme që humbën në tollovinë e përgjithshme. Njëra prej tyre, i takon kryeministrit të vendit, Edi Rama. Në foltoren e parlamentit, në një çështje të mprehtë që i prek të gjithë, ai premtoi një akt madhor: depolitizimin e komisioneve që administrojnë procesin zgjedhor. As më pak e as më shumë, ai do të shprehej për zgjedhjet e vitit 2019:“Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do duan apo s’do duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore. Besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare”.


Kuptohet se sintaksa e tij ironike ndaj Opozitës nuk do të shmangej, porse mesazhi ishte i madh. E nëse ky premtim do të shkoj më tej dhe do të kthehet në akt në ditët në vazhdim, ku Rama mund të ndikojë me forcën e kartonëve që ndryshimet të kalojnë. Madje, kjo mund t’i përshtatet edhe një pjese të opozitës së re, e cila kërkon dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, një modul i cili i jep më shumë autonomi kandidatit dhe forcave të vogla. Nëse realizohen këto atëherë Shqipëria mëton një ndryshim që do të jetë historik.


Shqiptarët kurrë nuk kanë bërë zgjedhje të pastra me mbi 90% të pastërtisë. Para Luftës së Dytë Botërore, kandidatët që ofroheshin nga kryeqyteti kalonin falë manipulimit të lehtë të turmës, që ishte në masë analfabete kudo në Shqipëri. Pas Luftës, komunistët bënë një palë zgjedhje kinse demokratike, por që kundërshtarët shpejt do t’i mbyllnin në burg dhe më pas vijuan katër dekada e gjysëm, kur njerëzit votonin 99% për kandidatët e Frontit Demokratik(!). Kaq paradoksale ishin këto zgjedhje saqë shqiptarët e thjeshtë nuk e kuptonin pse duheshin zgjedhjet (?) për të mos thënë pjesa tjetër e popullsisë, përfshirë dhe intelektualët, që nuk dinin: Pse duhej vallë Parlamenti?


Rebusi u zgjidh pas ndryshimit të sistemit. Përveç një palë zgjedhjeve, që mendohet se kishin pak demokraci (çuditërisht administratuar prej komunistëve), të gjitha zgjedhjet ku më shumë e ku më pak kanë qenë me probleme deri për të moë thënë të turpshme. Ato të vitit 1996 do kalonin çdo cak arsye, ashtu si të fundit më 2019, që u bënë me bojkotin e Opozitës dhe me daljen e saj krejt jashtë sistemit.

Shqiptarët në një farë mënyre kanë treguar mirëfilli me zgjedhjet atë që kishte përcaktuar Stalini: “Është e mjaftueshme që njerëzit të dinë se ka pasur zgjedhje. Njerëzit që hedhin votat nuk vendosin asgjë. Janë njerëzit që numërojnë votat, të cilët vendosin gjithçka”. Kaq shumë shkon kjo deklaratë me Shqipërinë, saqë kupton realisht pse vendi ynë nuk i është shkëputur komunizmit në thelb.

Dhe, është aq e lodhshme gjithçka, por që ti e kupton përmes përplasjeve që bëhen kohën e zgjedhjeve, gjashtë muaj para dhe gjashtë muaj pas, si do të thoshte me sarkazëm ambasadori austriak në Tiranë. Në një rast, që e kalon humorin, debati më i madh në javët e fundit para zgjedhjeve të fundit në KQZ, bëhej mbi pretendimin e opozitës për të patur komisionerë zgjedhorë, por pa marrë pjesë në zgjedhje!!! Ndërkohë që përkatësia politike e këtij institucioni për çdo herë ka mbytur dëshirën për zgjedhje të mira. Nuk është për të qeshur dhe qarë njëkohësisht, që pjesa më e madhe e kryetarëve të KQZ-së janë futur direkt në politikë për forcat që i kanë përkrahur dukshëm në proces.

KQZ-ja, KZAZ-të dhe KQV-të janë tre njësi që gjysma e shqiptarëve nuk i njohin, por janë ato që bëjnë këtë tollovi të kthehet gati si kancer. Dhe, militantët e tyre dhe me ndryshimet penale por edhe me kërcënimin e ambasadave për të mos i lejuar të udhëtonin në vendet e tyre, nuk u bën asfare syri tërr : Duket se lidhjet që kanë me partitë i kalojnë të gjitha gjërat e tjera.

Ndaj, raporti i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 30 qershorit është projeksioni më i saktë i asaj që ka ndodhur dhe për këtë arsye ne duhet t’i jemi mirënjohës këtij institucioni.

Dhe, ‘urdhri’ është i drejtpërdrejtë: ulje në tavolinë për të filluar reformën elektorale sipas rekomandimeve për t’u gatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Dhe, kushdo që njeh zgjedhjet e vendeve demokratike i ka gati modelet. Autorit të këtyre radhëve i shkon ndërmend skema skoceze. Vetëm tre komisionerë për qendër votimi: Më së shumti pensionistë: mësues ose ushtarakë, profesione me besueshmëri të lartë morale. Që me një llogari të thjeshtë i bie se për më pak se një orë të tre bashkë arrijnë e numërojnë në Qendër 1000 vota. Kjo i jep fund numërimit të sikletshëm në Pallatet e Sporteve dhe palestrat dhe Shqipëria futet në hartën e vendeve demokratike, që e realizon numërimin në krye të një ore.

Por, nuk mbaron këtu, Shqipëria ka edhe një modul problem, i cili lidhet me sistemin për të zgjedhur kandidatët dhe për të mos i lënë thjesht në oreksin e krerëve të partive.

OSBE/ODHIR i shkundi të gjithë dhe sidomos me këtë përsëritje të lodhshme të mësimeve demokratike. Por Bernie Sanders e thotë më këndshëm: “Ditët e zgjedhjeve vijnë dhe shkojnë. Por lufta e njerëzve për të krijuar një qeveri, e cila na përfaqëson të gjithëve ne dhe jo vetëm një përqind, një qeveri e bazuar në parimet e drejtësisë ekonomike, sociale, racore dhe mjedisore, beteja për të duhet të vazhdojë”.

Tani, Rama, i pari ka në dorë që të shpëtojë mandatin e tij të dytë dhe të tregojë realisht sesa do mundet të ndikojë në depolitizimin e zgjedhjeve. Po i bëri, do mbahet mënd realisht në historinë e shtetit shqiptar se arriti që të bëjë një gjë ndryshe për demokracinë shqiptare, që nuk e ka bërë askush para tij. (Homo Albanicus)