Ka startuar këtë mbrëmje emisioni më i ri në ekranin e News24 “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço. I ftuari i parë i emisionit “Frontline” është Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili u ndal fillimisht te manifestimi i 2 marsit 2020. Meta tha se “2 marsi” nuk dështoi, por ishte një lloj zgjimi për shqiptarët.
Sipas Kreut të Shtetit, më 25 prill do të ketë referendum, “ku kemi dy gjëra që do të bëhen të shenjta njëherë e përgjithmonë dhe ku ndëshkueshmëria do të jetë fatale, që janë vota e lirë dhe e barabartë dhe Kushtetuta dhe paprekshmëria e saj”.
Meta: Nuk ka asnjë lloj dështimi. 2 marsi ishte një lloj zgjimi, pas një thirrje të Presidentit. Falenderoj të gjithë qytetarët që erdhën atje. Nuk ka sesi të dështojë populli në aspiratën e vet për të mbrojtur sovranitetin e vet, sepse në Kushtetutë është e qartë që sovraniteti i përket popullit. Vetë populli ka vendosur që për çështje të rëndësishme shprehet me referendum, gjë që për dekada të tëra është bllokuar, me një ligj për të bllokuar referendumet. I gjithë ky tani është një proces, që kulmon me 25 prillin, ku kemi dy gjëra që do të bëhen të shenjta njëherë e përgjithmonë dhe ku ndëshkueshmëria do të jetë fatale, që janë vota e lirë dhe e barabartë dhe Kushtetuta dhe paprekshmëria e saj. Shqipëria do të hyjë në epokën e sundimit të referendumeve pas 25 prillit. Do dalë nga epoka e errët.
Nesër është 2 marsi, keni menduar ndonjë aksion?
Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë gjë, por nuk e di a do më zërë gjumi sot, por do përpiqem të jem i freskët nesër, sepse kam një agjendë mjaft intensive. 2 marsi është një proces që kulmon më 25 prill, i cili e kam bërë të qartë që është një referendum.
Do i thërrisni sërish qytetarët?
Nuk kam guxuar t’i thërras më shqiptarët pas 2 marsit, sepse kam qenë i bindur që nuk do i përmbaja dot, sepse për 1 vit kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, ka ndodhur shkatërrimi barbar në kulmin e pandemisë i Teatrit Kombëtar, kanë ndodhur kaq shumë koncesione korruptive, që kanë dëmtuar rëndë interesin publik e kombëtar. Ka kaq shumë probleme. 25 prilli do iu japë gjithë shqiptarëve atë çlirim, për të cilin ata kanë nevojë.
(BalkanWeb)