TIRANE- Segmenti rrugor Kopshti Botanik-Komuna e Parisit duke filluar nga nesër do të jetë i aksesueshëm nga drejtuesit e automjeteve. Hapja e qarkullimit në këtë segment fillon nga ora 10:00 e ditës së premte, 1 maj, ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se janë marrë masat e nevojshme për lëvizjen e automjeteve.

“Në segmentin rrugor “Ndërtim Unaza e Re e Tiranës” (Segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Re Tiranë-Elbasan), Autoriteti Rrugor Shqiptar për të eliminuar aksidentet rrugore në një zonë të papërfunduar punimesh mbylli provizorisht qarkullimin e mjeteve dhe ndaloi trafikun në këtë segment për marrjen e masave suplementare të sigurisë dhe sinjalistikës.

ARRSH njofton se nga nesër më datë 1 Maj , prej orës 10:00 do të hapet ky segment për qarkullimin e trafikut në pjesën fundore të Unazës së Tiranës, segmenti Kopshti Botanik-Komuna e Parisit.

Janë marrë masat e nevojshme për qarkullimin sa më të sigurt në këtë pikë, e cila do vazhdojë të mbetet një pikë, ku mund të kryhen punime të mëtejshme. Përdoruesit e automjeteve të kenë kujdes sistemin e ri të qarkullimit edhe në rrugët ekzistuese (Komuna e Parisit), që është bërë për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes më të lehtësuar në këtë pikë të segmentit”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

ARRSH i kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me kujdes sinjalizimin rrugor.

Ndërkaq, edhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të mbështesë ARRSH për hapjen e këtij segmenti rrugor dhe mbarëvajtjen e qarkullimit të mjeteve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb