Drejtoresha ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë(IDMC) Jonila Godole e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se nesër nis në  aktiviteti “Tirana lexon”. Godole deklaroi se letërsia e kujtesës do të jetë në qendër të këtij edicioni.

Pedagogia Godole u shpreh se në këtë aktivitet të përvitshëm letrar do të jenë të ftuar shkrimtarë që kanë shkruar një sërë veprash për memorien, ndërsa përmendi edhe emrin e Lekë Tasit, duke thënë se ky i fundit do të prezantojë një libër, ku përshkruhen vuajtjet e tij dhe të familjes së tij në burgjet komuniste.

Jonila Godole: Tirana lexon fillon nesër. Është një aktivitet që fillon prej 6 vitesh, ka nisur që më 2014. Ne ishim fokusuar tek rinia. Fillimisht ishte maratonë leximi. Unë i quaj më shumë të vlefshme kur ka më tepër individë dhe shoqëria civile, pasi i jep një lloj lirie, nuk duket lexim me detyrim pra. Ne jemi mbështetur nga Ministria e Kulturës, por edhe nga shoqata të tjera ndërkombëtare. Festivali “Deti i bardhë” është bërë çdo dy vjet dhe sillte në Tiranë shkrimtarë të njohur. Edhe Peter Handke ka qenë në listat tona për t’u ftuar. Fokusi është tek letërsia shqipe. Kemi një sërë autorësh shqip, edhe autorë të rinj. Do të ketë takime me autorë të rinj nesër, në prani të ministres së Kulturës. Do të kemi lexim me Lekë Tasin. Kemi Agron Tufën me poezi, ditën e premte në darkë dhe ditën e shtunë kemi Enkel Demin dhe Elvis Cergën.

Fokusi është pra Tirana, kanë shkruar për Tiranën. Lekë Tasi ka një libër, ku flitet për faktin sesi ai dhe familja e tij internohen dhe dëshmon kujtesën. Vetë zoti Lekë Tasi do të jetë i ftuar në Muzen Kombëtar paradite.  Rinia ka interes për këtë letërsi, atë të kujtesës, për historitë e dhimbshme në diktaturë. Zoti Tasi jep një paletë me personazhe dhe ia lë lexuesit që të arrijë në përfundime. Pse jo të ishte edhe në tekste shkollore, që të njohin më mirë se çfarë ka ndodhur. Ka pa fund rrëfime të jashtëzakonshme të të përndjekurve  në burgjet e komunizmit, të At Zef Pllumit, Fatos Lubonjës etj. Librat janë më shumë autobiografikë.  Kemi autorë të tjerë Flutura Acka, Elvira Dones, ka pasur edhe ajo libër të mirë për të tilla tema.

E pyetur për fituesin e këtij viti të Çmimit Nobel për Letërsinë Peter Handke, pedagodia Godole tha se ndodh që edhe shkrimtarë të njohur të kenë pikëpamje që janë të çuditshme dhe të pashpjegueshme. Godole theksoi se ky çmim letrar nuk do të thotë gjithçka, pasi atë nuk e kanë fituar autorë etalonë të letërsisë si Kafka, Beket.

Jonila Godole: Çmimi Nobel është subjektiv. Iu është dhënë shumë personave që ndoshta edhe nuk e kanë merituar. Çmimi për Letërsi dhe për Paqe iu janë dhënë personave që kanë qenë në modë për kohën. Por bota e vlerëson gjithsesi. Por e mori një autor këtë vit që ka mbyllur sytë përpara një personi që ka kryer gjenocid. Por s’jam për këtë, pasi këtë çmim nuk e kanë fituar Kafka autorë të mëdhenj. Kush jemi ne ta gjykojmë? Diçka ka ndodhur me të, ai ka një origjinë sllovene nga nëna. Përse ai ka qenë aq i lidhur me Serbinë dhe me nacionalizmin serb nuk kuptohet, mbetet e pashpjegueshme. Handke do mbetet një figurë më shumë me hije se me dritë. Secili në bazë të natyrës së vet mund të gjykojë, pasi t’ia lexojë veprën.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb