TIRANE

Protestat e njëpasnjëshme të opozitës e kanë detyruar Policinë e Shtetit që të vendosë në gatishmëri një numër punonjësish policie, pasi bëhet fjalë për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë. Për protestën e së martës, Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje opozitës, me arsyetimin se tubimi i njerëzve pengon hyrjen e deputetëve në Kuvend dhe vë në rrezik jetën e tyre.

Sipas policisë, protesta cenon sigurinë kombëtare, por pavarësisht kësaj janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj dhe pengimin e çdo akti dhune.

Policia pritet që të angazhojë pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës, por në ndryshim nga herët e tjera po sheh mundësinë që për të rritur sigurinë e deputetëve dhe parlamentit, të krijojë një kordon me skela përgjatë oborrit.

Policia ka informacion se një pjesë e protestuesve kanë marrë masat për tu mbrojtur nga gazi lotsjellës. Në rast se kjo formë nuk do të funksionojë për të shpërndarë turmën atëherë në veprim do të hyjnë autobotet me ulë të cilët mund të hedhin ujë me presion deri në 100 metra.

Sipas protokollit, autobotet do të përdorin ujë me ngjyrues për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve që tentojnë të cenojnë institucionin. Në vende të caktuara në sheshin para Parlamentit, janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të regjistruar e më pas evidentuar çdo person që do të tentojë sulmin ndaj institucionit të Parlamentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb