Qeveria, së bashku me përfaqësues të Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe ekspertë, do të prezantojnë mëngjesin e së mërkurës raportin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Burime për News 24 bëjnë të ditur se prezantimi i raportit do të bëhet në Europe House, ku do të jenë të pranishëm ministri fuqiplotë i emergjencave, Blendi Çuçi, Kryetarja e Komitetit të rindërtimit, Milva Ikonomi, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, si dhe ekspertë që kanë realizuar raportin.
News 24 u interesua për shifrat që përmban raporti, në institucionet që janë marrë me të, por burimet thanë se ato do të bëhen publike në orën 09:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Fatura përfundimtare e dëmeve nuk bëhet ende e ditur, por më herët kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me ministrin italian, Di Maios, u shpreh se fatura shkon në 1 miliard euro. Tërmeti i 26 Nëntorit shkatërroi mijëra banesa dhe shkaktoi 51 viktima.
(BalkanWeb)