Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zëvendësojë të hënën dhe gjashtë deputetë të tjerë të opozitës. Tre prej tyre vijnë nga lista e Partisë Demokratike. Në Berat Astrit Veliaj do të zëvendësohet nga Lefter Maliqi. Në Korçë Klevis Balliu do të zëvendësohtet nga Ligoraq Karamelo. Ndërsa mandatin e Gent Strazimirit do ta marrë Majlinda Halilaj e cila është renditur në numrin 47 në listën e partisë demokratike për kryeqytetin.


Sipas relacionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datën 1 mars Halilaj ka paraqitur dorëheqjen nga marrja e mandatit, por tre ditë më pas po ashtu në KQZ ajo ka dorëzuar edhe formularin e dekriminalizimit duke, nisur procedurën e marrjes së mandatit. Sa i përket LSI mandatin e Viktor Tushaj në Lezhë e merr Alda Hoti, e cila pavarësisht se ka dorëzuar dorëheqjen nga marrja e mandatit ka paraqitur edhe formularin e dekriminalizimit.


Në Durrës mandatin e Nora Malaj e merr Edlira Hyseni dhe në Gjirokastër në vend të Vangjel Tavos e merr Ediola Braha. Në këtë mënyrë pas së hënës në Kuvend do të ketë 92 deputetë. 143 kandidatë të opozitës në listat e zgjedhjeve të 2017 kanë dorëzuar në KQZ vetëdeklarimin ku refuzojnë të marrin mandatin e deputetit.


Deputetët e rinj pritet të betohen në seancën plenare të datës 13 Mars duke e çuar në këtë mënyrë në 10 numrin e mandateve të asaj që cilësohet si opozita e re parlamentare në vend. Në mbledhjen e rradhës KQZ do të regjistrojë katër parti politike si pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit për pushtetin vendor. Ato janë: Partia Uniteti Kombetar, Partia Socialiste e Moderuar, Partia Emigracioni Shqiptar, dhe Partia Kombetare Konservatore Albania./ GSH.al

Etiketa: