I dërguari i Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u takua të shtunën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, mes përpjekjeve për arritjen e një armëpushim në Gazë, njoftoi zyra e zotit Netanjahu.
Pas takimit, kryeministri izraelit dërgoi në Katar një delegacion të nivelit të lartë, që përfshin kreun e Agjencisë izraelite të Zbulimit Mossad, në mënyrë që të “përparojnë” bisedimet për kthimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në rajon, thuhej në deklaratën e zyrës së zotit Netanjahu.
Më herët të shtunën, një zyrtar izraelit tha se ishte arritur njëfarë përparimi në bisedimet indirekte mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara.
Ndërmjetësuesit po bëjnë përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje për të ndalur luftimet në rajon dhe për të liruar pengjet izraelitë, përpara se zoti Trump të marrë detyrën më 20 janar. Marrëveshja do të përfshinte gjithashtu lirimin e disa të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Familjet e pengjeve izraelite e mirëpritën vendimin e zotit Netanjahu dhe disa prej tyre e konsideruan atë si një “mundësi historike”.
Zoti Witkoff mbërriti në Doha të premten dhe u takua me Kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, bëri të ditur ministria e Jashtme e Katarit.
Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe ata të Katarit morën garanci nga zoti Witkoff se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për një marrëveshjeje të drejtë për t’i dhënë fund luftës së shpejti, bënë të ditur burime egjiptiane të sigurisë, por pa dhënë asnjë detaj.
Izraeli nisi sulmin në Gazë pasi militantët e Hamasit sulmuan pjesën jugore të shtetit hebre në tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona e marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.
Që prej fillimit të luftës, më shumë se 46,000 persona janë vrarë në Gazë, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi. Grupi i militantëve i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian, nuk bën ndarje mes viktimave civilë dhe militantëve të vrarë./Voa/