Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e ka konsideruar të turpshme votën e Këshillit të Sigurimit që miratoi rezolutën përmes së cilës i kërkon Jeruzalemit që të ndalë ndërtimin e banesave të reja në territoret e pushtuara palestineze.

“Ne nuk do t’i bindemi kësaj rezolute. Në një kohë kur Këshilli i Sigurimit ka dështuar në ndalimin e masakrës ndaj gjysmë milioni njerëzve në Siri, paturpësisht i kundërvihet të vetmes demokraci në Lindjen e Mesme dhe e quan Bregun Perëndimor territore të pushtuara”, thotë Netanjahu.

Këshilli prej 15 anëtarësh kaloi rezolutën e propozuar nga Egjipti pas refuzimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur veton ndaj saj. Ekspertët e interpretojnë këtë vendim të Uashingtonit si kulmi i tensioneve në marrëdhëniet mes Benjamin Netanyahut dhe Barack Obamas.

Kundër rezolutës u deklarua edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Ai e komentoi atë si zakonisht në “Twitter”.

“Sa për atë që ndodhi në OKB, gjërat do të jenë krejtësisht ndryshe pas 20 janarit”.

Palestinezët e përshëndetën rezolutën. Presidenti Mahmoud Abass e cilësoi kalimin e saj një goditje e fortë për politikat e Izraelit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb