Kryeministri izraelit udhëzoi sot ekipin e tij negociator që të “vazhdojë përpjekjet” për të liruar pengjet e mbetura në Rripin e Gazës , siç njoftoi zyra e Benjamin Netanyahut.
“Benjamin Netanyahu mbajti një takim sonte për të vlerësuar çështjen e pengjeve me ekipin negociator dhe zyrtarë të lartë të sigurisë ,” tha zyra e kryeministrit izraelit.
Më herët gjatë ditës së sotme, Xhihadi Islamik Palestinez publikoi një video që tregon një peng gjermano-izraelit, i cili u rrëmbye gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023. Në videon gati shtatë minutëshe, Rom Braslavsky i bën thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar lirimin e tij.
Ndërkohë, një zyrtar i Hamasit i tha sot Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) se lëvizja palestineze nuk i është përgjigjur ende propozimit izraelit për armëpushim. Ai përsëriti se Hamasi është përjashtuar nga negociatat për çarmatimin e tij, të cilin Izraeli e kërkon si parakusht për “fundin përfundimtar” të luftës në Rripin e Gazës.
Lufta në Rripin e Gazës shpërtheu pas sulmit të pashembullt të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, kur 1218 njerëz u vranë dhe 251 u rrëmbyen. Që atëherë, më shumë se 50,000 njerëz janë vrarë për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në enklavën palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në Gaza. Nga 251 pengjet e Hamasit, 58 mbeten në Rripin e Gazës, por 34 prej tyre nuk janë më gjallë, sipas ushtrisë izraelite.
(A.A/BalkanWeb)