Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në lindje të Libanit më 15 tetor, raportoi media shtetërore libaneze, në kohën kur po vazhdojnë luftimet mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hezbollahut.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se nuk do të ketë mëshirë për grupin militant libanez.
Netanyahu i bëri këto komente të hënën, një ditë pas sulmit me dronë të kryer nga Hezbollahu, që la të vrarë katër ushtarë dhe la të plagosur 60 persona të tjerë.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike, që kontrollon shumicën e Libanit jugor. Ai është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, që ka ulëse në Parlamentin libanez.

“Ne do të vazhdojmë të sulmojmë Hezbollahun pa mëshirë në të gjitha pjesët e Libanit, përfshirë në Bejrut”, tha Netanyahu gjatë vizitës në bazën ushtarake afër Binjaminës, në jug të Haifës.

Hezbollahu tha se “luftëtarët janë përleshur” me trupat izraelite të martën, teksa ushtria po tentonte të hynte në periferi të fshatit Rab Tlatin.

Grupi militant libanez, që ka mbështetjen e Iranit, tha se ka sulmuar ushtarët në këtë fshat me raketa dhe po ashtu tha se ka hedhur një breshëri raketash në drejtim të ushtrisë izraelite në veri të Izraelit, teksa ushtria izraelite ka raportuar se janë aktivizuar sirenat për sulme ajrore afër kufirit.

Izraeli, ndërkaq tha se trupat e tij “kanë eliminuar dhjetëra terroristë gjatë luftimeve në afërsi” dhe gjatë sulmeve ajrore të kryera një ditë më parë.

Izraeli kreu disa sulme ajrore mëngjesin e së martës në lindje të Luginës Beka, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Një ditë më parë, gjatë sulmeve izraelite në veri të Libanit u vranë të paktën 21 persona, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në kufi që kur ka nisur lufta në Gazë në tetorin e vitit të kaluar mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Por, që nga muaji i kaluar Izraeli ka intensifikuar bombardimet në Liban dhe në fillim të tetorit ka nisur një ofensivë tokësore në këtë shtet.

Sulmet izraelite kanë shënjestruar bastionet e Hezbollahut, por edhe pjesë të tjera të Libanit. Izraeli ka thënë se synon që të dëbojë Hezbollahun nga zona kufitare në mënyrë që dhjetëra mijëra izraelitë të zhvendosur të mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: