Reagime dhe kritika të forta mori Netflix ditët e fundit, kur njoftoi se 19 filma në lidhje me Palestinën do të hiqeshin nga platforma.
Freedom Forward, një organizatë e të drejtave të njeriut dhe qëndrueshmërisë mjedisore me qendër në San Francisko, publikoi një letër të hapur si dhe një peticion, duke kërkuar një shpjegim nga Netflix se pse këta filma nuk janë në platformë.
Sipas “Deadline”, këta filma janë licencuar nga Front Row Filmed Entertainment, një kompani prodhimi në Dubai. Në një deklaratë, transmetuesi tha se koleksioni ‘Palestinian Stories’ u lançua në tetor 2021 si pjesë e një marrëveshjeje licence trevjeçare.
“Ne e lançuam këtë koleksion të licencuar filmash në vitin 2021 për tre vjet. Këto licenca tani kanë skaduar. Si gjithmonë, ne vazhdojmë të investojmë në një gamë të gjerë filmash dhe shfaqjesh televizive cilësore për të përmbushur nevojat e anëtarëve tanë dhe për të mbështetur zërat nga e gjithë bota.”
Ky shpjegim, megjithatë, nuk ishte i mjaftueshëm për shumë përdorues të mediave sociale.